NASA fillon misionin e dërgimit në tokë të mostrave të asteroidit

Shkencë & Teknologji

NASA fillon misionin e dërgimit në tokë të mostrave të asteroidit

Më: 10 maj 2021 Në ora: 20:07
Foto ilustrim

Sot niset drejt tokës një sasi mostrash të grumbulluara nga një anije hapësinore e NASA-s mbi sipërfaqen e asteroidit Bennu. Agjencia hapësinore amerikane synon që nga analiza e këtyre dëshmive, të mësojë më shumë për mënyrën se si u krijua sistemi ynë diellor dhe vetë jeta mbi tokë. Mostrat pritet të mbërrijnë në Tokë në vitin 2023, shtatë vjet pas fillimit të këtij misioni.

Kanë kaluar mbi gjashtë muaj që kur anija hapësinore e NASA-s, Osiris-Rex, zbriti mbi sipërfaqen e asteroidit Bennu, kontakti që mundësoi grumbullimin e mostrave me qëllim të dërgimit të tyre në tokë për studime. Agjencia hapësinore thotë se të hënën anija do të largohet nga zona afër asteroidit në drejtim të tokës, me ngarkesën e vlefshme që peshon më pak se një kilogram. Rrugëtimi i gjatë prej 2.3 miliardë kilometrash, që është sa një rrotullim i dyfishtë i anijes rreth diellit, pritet të zgjasë dy vite e gjysmë.

“Po përgatitemi që me shpejtësinë e duhur të nisim udhëtimin drejt Tokës. Rrugës do të ketë manovra përmirësimi të trajektores. Kjo bën që koha e arritjes të jetë viti 2023”, thotë Nayu Castro, menaxhere e misionit.

Osiris-Rex filloi rrugëtimit drejt asteroidit Bennu në shtator të vitit 2016, dhe mbërriti atje në dhjetor 2018.

Zonja Castro thotë se largimi i anijes ditën e hënë konsiderohet si moment shumë i rëndësishëm në misionin shtatë-vjeçar, pasi anija që ka madhësinë e një furgoni tani mban një ngarkesë të çmuar.

“Gjithçka është llogaritur deri në detajet më të imëta, që të parashihet rreziku. Do të thoja se operacioni është i një rëndësie të veçantë sepse kemi një ngarkesë shumë të çmuar në bord, për të cilën jemi përgjegjës dhe po mundohemi të sigurohemi se do ta marrim atë, sepse është një rrugë e gjatë drejt Tokës, rreth dy vite e gjysmë“, tha ajo.

Para nisjes, Osiris-Rex kreu një kalim të fundit pranë asteroidit, duke shkrepur disa fotografi të sipërfaqes ku janë mbledhur mostrat.

Udhëheqësja e misionit të NASA-s thotë se operacioni kishte sfidat e veta.

“Pas përplasjes po humbisnim shumë gurë të mëdhenj. Por ne e ndryshuam drejtimin e kapsulës për mbledhjen e mostrave, që të merrnim sa më shumë”, tha zonja Castro.

Asteroidi i pasur me karbon, Bennu, i cili ndodhet në orbitën e diellit, besohet se ruan dëshmi të blloqeve të sistemit diellor. Shkencëtarët thonë se mbetjet mund të ndihmojnë shpjegimin se si u krijuan planetet e sistemit tonë diellor para miliarda vitesh dhe se si filloi jeta në tokë. Mostrat mund të ndihmojnë edhe në përmirësimin e shanseve që toka të mbrohet nga një asteroid që mund të rrezikojë njerëzimin.

“Asteroidi Bennu është si një kapsulë e vogël kohe e krijimit të sistemit të hershëm diellor. Thjesht jemi të interesuar të shohim çfarë informacione mund të sigurojmë për ne në Tokë, mënyrën se si u krijua Toka dhe gjithashtu për të mësuar më shumë për veten dhe përbërjen tonë“, tha udhëheqësja e misionit.

Në shtator të vitit 2023 mostrat arrijnë në Tokë, duke zbritur me parashutë mbi shkretërirën në Jutah, shtatë vite pas nisjes së anijes hapësinore nga Kepi Kanaveral i Floridës./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat