“Shiu” i meteorëve dhuron spektakël në qiell

Shkencë & Teknologji

“Shiu” i meteorëve dhuron spektakël në qiell

Më: 12 gusht 2018 Në ora: 14:56
“Shiu” i meteorëve

Një shi meteorësh ka ndriçuar qiejt e Evropës dhe Amerikës Veriore të shtunën në mbrëmje, duke i dhënë vëzhguesve të qiellit një mundësi të rrallë që ta shohin spektaklin e yjeve që bien me sy të lirë.

Astronomët thanë se qindra yje që bien do të mund të shihen në qiell nga 12 deri më 13 gusht, në një spektakël që mund të jetë i dukshëm në të gjithë botën. “Me një hënë të re që garanton një sfond më të errët se zakonisht për spektaklin, yjet që bien do të jenë më të shndritshëm se kurrë” – thonë astronomët.

“Unë mendoj se të gjithë duhet ta shohin këtë”, thotë Miralem Mehiç, një boshnjake, pjesë e një grupi ndërkombëtar vëzhguesish të qiellit, që e ndoqën spektaklin tek piramidat e rërës, një zonë kolonash natyrore rëre në afërsi të qytetit jugor Foca.

Spektakli i quajtur si shiu i meteorëve perseids, kthehet në fakt në qiej për çdo gush dhe është më i dukshëm në hemisferën veriore, në zona të izoluara ku ka pak ndriçim artificial. Spektakli ndodh kur toka kalon përmes mbetjeve të kometës 109P Swift Tittle, që u zbulua në 1862.

Meteorët janë pjesë shkëmbinjsh dhe rëre që godet atmosferën e tokës, nxehen dhe digjen. Pjesa më e madhe e tyre shpërbëhen ndërsa zbresin, por disa edhe shpërthejnë. Spektakli i të dielës parashikohet të jetë akoma më magjepsës dhe më i shndritshëm se kurrë.

Pritet sipas ekspertëve, që vëzhguesit e qiellit të mund të shohin një yll që bie çdo tre apo katër minuta. Ndërsa sipas NASA-s, 60 deri në 70 meteorë do të mund të shihen në një orë.

Kulmi ose koha më e përshtatshme për të parë spektaklin, do të jenë orët e para të mëngjesit të së hënës. Dhe ekspertët kanë këshilluar që vendi më i mirë për të ndjekur spektaklin mahnitës, në të gjithë bukurinë e tij, do të jetë në zona të hapura, larg dritave të qyteteve apo qendrave të banuara.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat