Dëshmia e mikut: Tentativa për të ndaluar vrasësin e Nardit

Shkodra

Dëshmia e mikut: Tentativa për të ndaluar vrasësin e Nardit

Më: 22 mars 2019 Në ora: 12:20
Foto

Detaje të reja janë zbuluar lidhur me dinamiken e vrasjes se 32-vjeçarit Nard Polia në Shkodër, pasditen e 20 marsit. Në momentin kur u qëllua me 20 plumba, Nard Polia ndodhej në Fouristradën e tij, të cilën sapo e kishte nxjerrë nga servisi në Grudë bashkë me punonjësin e servisit, Xhovani Mirashi.

Ky i fundit ndodhej në sediljen e pasagjerit dhe i ka shpëtuar mrekullisht plumbave, pasi autori duket se kishte objektiv vetëm 32 vjeçarin. Menjëherë pas vrasjes, Xhovan Mirashi është shoqëruar në polici dhe atje ka treguar gjithçka kishte ndodhur.

Dëshmitari ka treguar se pasi është qëlluar Nard Polia, u frikësua se do ta qëllonin edhe atë. Ka zbritur nga Fuoristrada dhe teksa vrasësi nxitonte të largohej nga vendi i ngjarjes me motorin e tij, ka bërtitur me gjithë fuqinë “e vrau, e vrau!”. Fare pranë vendit të vrasjes është edhe servisi i makinave, nga ku i vëllai ka dëgjuar të bërtiturën e Xhovanit dhe ka dalë menjëherë në rrugë.

Ndërkohë autori hipi në motorin e tij tip “T Max: dhe u largua me shpejtësi.

Vëllai i Xhovanit është munduar ta ndjekë autorin me makinë për ta rrëzuar dhe për ta ndaluar. Por motori ka devijuar rrugën duke u futur në një segment ku makina nuk mund të kalonte. Në këtë mënyrë autori i krimit është larguar nga rruga dytësore e fshatit Hot, ka dalë tek vendi i quajtur Vinoteka dhe nga aty tek ura e Mesit ku dogji motorin. Policia mendon se autori mund të jetë larguar me një mjet me karroceri në drejtim të fshatit Bardhaj, por ky është thjesht një dyshim.

Policia e Shkodrës i ka përqendruar hetimet tek ngjarjet e ndodhura në Itali para 9 vitesh, kur Nard Polia ndodhej aty si emigrant. Në vitin 2011, 32 vjeçari, është arrestuar bashkë me 7 persona të tjerë, i dyshuar për trafik kokaine, shfrytëzim prostitucioni dhe vjedhje me dhunë, duke u dënuar me 4 vite burg. Policia i ka dërguar një kërkesë Interpolit të Italisë për informacion mbi aktivitetin e tij kriminal, lidhjet me personat e arrestuar apo edhe me grupe të tjera kriminale të dyshuar, për të zbuluar ndonjë konflikt të mundshëm. E vetmja pistë për momentin mbeten ngjarjet e Italisë duke qenë se në Shkodër nuk raportohet për ndonjë konflikt apo marrëdhënie kontradiktore. /Balkanweb

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat