Hapen drynat në Shkodër, shpërndahen materialet zgjedhore nga veriu në jug

Shkodra

Hapen drynat në Shkodër, shpërndahen materialet zgjedhore nga veriu në jug

Më: 29 qershor 2019 Në ora: 18:01
Hapen drynat në Shkodër

Kyçja e shkollave dhe kopshteve të miratuara si qendra votimi ishte lëvizja e radhës së disa bashkive të drejtuara nga opozita në kuadër të qëndrimit të deklaruar se ata do të zbatojnë dekretin e presidentit Meta që anuloi procesin zgjedhor të 30 qershorit. Por këto veprime, kanë çuar në pranga punonjësit e disa bashkive të djathta nën akuzën e Pengimit të subjekteve në zgjedhje. Gjatë pasdites vijoi shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha bashkitë.

Ora 17:50 Mbyllet pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore në Elbasan

Ështe mbyllur pa incidente shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ në qendrat e votimit në qarkun e Elbasanit. Në total ne Elbasan janë 10 KZAZ. 4 prej tyre i takojne bashkise Elbasan përkatësisht ato me nr 47, 48, 49 dhe 50 dhe 6 të tjera i takojne bashkive Prrenjas, Librazhd, Cërrik, Belsh, Gramsh dhe Peqin. Në total numri i votuesve në qarkun e Elbasanit është 343 258 votues të cilët do të votojnë në 2800 qendra votimi. Ndërkohë vetëm në bashkinë Elbasan numërohen 166.538 zgjedhës dhe 235 qendra votimi.

17:48 Shpërndahen materialet zgjedhore në Fier

Në bashkitë Fier, Patos, Roskovec dhe Ballsh, perfundon procesi i shpërndarjes se materialeve zgjedhore nga të 5 KZAZ- t në drejtim të Qendrave të Votimit.  Procesi nuk ka shënuar asnjë problematike. Ka qenë i qetë dhe normal. Policia e Shtetit është në gatishmëri për garantimin e procesit zgjedhor, rendit dhe qetësisë.

Ora 17:26 Pas tensioneve dhe përplasjeve të një dite më parë, në orët e pasdites së sotme ka nisur shpërndarja e materialeve zgjedhore nga KZAZ numër 19 në Dibër. Sipas kryetarit të KZAZ-së 19, Agron Cara, çdo gjë ka kaluar sipas rregullave. Aktualisht vetëm Peshkopia dhe njësia administrative Tomin  janë pa materiale zgjedhore, por sipas Carës procesi do të mbyllet brenda 2 orësh.

Ora 17:05 Përfundon shpërndarja e materialeve zgjedhore në të gjitha Qendrat e Votimit të bashkisë së Devollit. Procesi ka qenë normal dhe pa incidente.

Rreth orës 16:21, në Shkodër ka vijuar shpërndarja e materialeve zgjedhore nga shkolla profesionale “Arben Broci”.

Në Gjirokastër, rreth orës 16:00 janë shpërndarë materialet zgjedhore në KZAZ 78. Sipas kreut të KZAZ, Roland Skendo asnjë qendër deri me tani nuk ka njoftuar per bojkot.

Bashkitë e djathta kyçin shkollat, në bashkitë e majta ndahen materialet zgjedhore

Bashkitë e Shkodrës, Mallakastrës dhe Pogradecit mbyllën shkollat e kopshtet e përcaktuara si qendra votimi për 30 qershorin, në vijimësi të qëndrimit se ata do të zbatojnë dekretin e presidentit që e ka anuluar procesin. Por këto veprime u kushtoi arrestimin 4 punonjësve të bashkive Pogradec e Mallakastër, ndërsa nënkryetari i kësaj njësie vendore u shpall në kërkim. Ndërkohë në bashkitë e majta nisi shpërndarja e materialit zgjedhor.

Në Mallakastër, nënkryetari i Bashkisë Haredin Serjani është shpallur në kërkim, ndërsa dy punonjës të njësisë vendore dhe roja i një shkolle janë arrestuar.

Bashkë me Dervish Dervishaj, Erjon Isufaj, dhe Nimet Kapaj, Ai akuzohet se ka mbyllur 2 shkolla në qytetin e Ballshit dhe 21 shkollave në fshatrat e Bashkisë.

Ne Pogradec- Me të njejtën akuzë në pranga u vunë edhe dy punonës të Arsimit të Bashkisë të cilët mbyllën katër shkolla të përcaktuara për qendra Votimi.

Duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të punonjësve që sipas tij bënë vetëm detyrën, kryebashkiaku i Pogradecit u bëri thirrje qytetarëve të mos bien pre e provokimeve dhe të shmangin situatat konfliktuale

Ne Shkoder - Të kycura me zinxhirë këtë të shtunë ishin edhe shumica e institucioneve nën varësinë e Bashkisë  e cila më herët ka deklaruar se nuk do të ofrojë asnjë ambient për procesin që e cilëson të paligjshëm pas dekretit të presidentit.

Ne bashkite e majta- Nga ana tjetër, në bashkitë e drejtuar nga të Majtët që në orët e mesditës nisi procesi i shpërndarjes së bazës materiale zgjedhore nga KZAZ-të drejt Qendrave të Votimit që do të hapen të dielën në orën 07:00 të mëngjesit.

Procesi i shpërndarjes së materialeve zgjedhore u ndoq edhe nga vëzhgues të OSBE dhe organizmave të tjerë të angazhuar në monitorimin e votimeve të 30 qershorit.

Në Korçë - Nis shpërndarja e materialeve të zgjedhjore në KZAZ-në numër 74. Procesi vijon normalisht.

Në Sarandë - Ka nisur shpërndarja e materialeve të zgjedhore në KZAZ-në numër 88 për 51 qendra votimi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat