Ademi: Rama po fsheh dështimin, përmes Sandër Lleshajt po sulmon shkodranët - Bota Sot
Ademi: Rama po fsheh dështimin, përmes Sandër Lleshajt po sulmon shkodranët

Shkodra

Ademi: Rama po fsheh dështimin, përmes Sandër Lleshajt po sulmon shkodranët

Më: 6 prill 2020 Në ora: 17:14
Voltana Ademi

Kryetarja e Bashkisë së Shkodrës Voltana Ademi akuzon kryeministrin Rama se nëpërmjet ministrit të Brendshëm, Sandër Lleshaj po sulmon shkodranët.

Në një deklaratë për mediat, kryebashkiakja e Shkodrës dështimin e menaxhimit të situatës po përpiqet t’ua hedhë shkodranëve.

Voltana Ademi: Sot Edi Rama dërgoi në Shkodër gjeneralin pa spaleta që ka vënë në krye të Ministrisë së Brendshme për të sulmuar shkodranët.

Dështimin e tij edhe në menaxhimin e një situate të rrezikshme dhe që lidhet direkt me jetët e shqiptarëve, Rama po përpiqet t’ua hedhë qytetarëve të Shkodrës.

Është një strategji e ulët e qeverisë, deri në kriminale, të cilën unë e kam denoncuar publikisht prej ditësh.

Kryeministri, përmes ministrit të tij të brendshëm, po mundohet të fshehë dështimin në hetimin epidemiologjik dhe në testimin e qytetarëve, në përballimin e krizës shëndetësore dhe ekonomike.

Është botërisht e ditur se në këtë situatë, as përsa i përket testimit e as hetimit epidemiologjik, e as sistemit shëndetësor, bashkitë nuk kanë asgjë në dorë.

Bashkia e Shkodrës tha Ademi ka bashkëpunuar dhe ka bërë gjithçka që ka në dorë, në mundësitë e kapacitetet e veta, për lehtësimin e barrës së COVID-19 për qytetarët e saj dhe do të vazhdojë ta bëjë atë pa ndërprerje.

Voltana Ademi: Shkodra është një nga qytetet që  me qytetarinë e vet ka bërë dhe po bën përpjekjen e saj për respektimin e masave të distancimit social, pavarësisht problemeve shumë të mëdha ekonomike.

E pa sot në tregun e Rusit në Shkodër edhe Sandër Lleshaj, i cili e pranoi publikisht se ka më shumë shitës se blerës. 

Rama e sejmeni i tij që kishte ardhur me një mision të caktuar politik në Shkodër, e dinë mirë se janë familje të e familjarë që kanë patur kontakte me të infektuar, e të tjerë që prej ditësh kanë telefonuar numrin 127,  dhe që u është refuzuar testimi.

Ai e di mirë se një person, të shtunën, ka humbur jetën në Spitalin e Shkodrës, pa mundur as të dërgohet në Tiranë për shkak të neglizhencës, duke ngjallur panik dhe pasiguri tek stafet mjekësore e pacientët e spitalit.

Ademi akuzoi kryeministrin Rama për faktin se shkodranët nuk kanë marrë asnjë pagesë nga fondi i deklaruar për situatën e Fatkeqësisë Natyrore

Voltana Ademi: Shkodranët e panë me sytë e tyre se, me urdhër politik, Këshilli Bashkiak monist, nuk miratoi paketën e lehtësive financiare të propozuara nga ana ime.

Prandaj, iu bëj thirrje publike të mos përdorë ministrin e tij të brendshëm për të sulmuar qytetarët e Shkodrës.

Nëse qytetarët në Shkodër nuk do të respektonin masat kufizuese ashtu siç u përpoq sot ta faturonte Rama edhe Lleshaj, as kryeministri dhe i gjithë shteti nuk do të merreshin tre ditë me Tregun e Kombinatit në Tiranë.

Nuk ka nevojë që Rama të shpikë ndonjë armik tjetër. Për Shkodrën, shkodranët e shqiptarët armiku i vetëm është i mjaftueshëm COVID-19.

Siç e kam kërkuar disa herë, edhe sot kërkoj që të rritet numri i testeve për qytetarët, për të identifikuar dhe shkëputur zinxhirin e infeksionit në Shkodër. Po kaq emergjente është edhe mbështetja financiare dhe ushqimore, pasi qytetarët janë në vështirësi të sigurimit të bukës së përditshme.

Kam ofruar dhe ofroj edhe sot të gjithë bashkëpunimin për tejkalimin me sa më pak probleme të situatës së rëndë të pandemisë, edhe pse deri sot gjithçka ka rënë në veshin e shurdhër të qeverisë. 

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat