Ulet numri i rasteve me koronavirus në Shkodër - Bota Sot
Ulet numri i rasteve me koronavirus në Shkodër

Shkodra

Ulet numri i rasteve me koronavirus në Shkodër

Më: 26 prill 2020 Në ora: 06:12
Shkodër

Kjo javë shënoi një rënie të ndjeshme të numrit të të infektuarve me COVID-19 në Shkodër, zonë e cila në javët e para të pandemisë, nuk u respektuan masat për parandalimin e përhapjes së virusit. Korrespondenti i Zërit të Amerikës, Pëllumb Sulo, bisedoi me të ngarkuarin e qeverisë për Shkodrën, zëvëndës ministrin e brendshëm, Besfort Llamallari, dhe me kryetaren e bashkisë, Voltana Ademin dhe na sjell më shumë detaje.

Shkodra vazhdon të renditet e dyta pas Tiranës për nga numri i lartë i të prekurve me COVID-19. Në fillim të muajit, numri i të infektuarve u rrit në mënyrë të menjëherëshme, për shkak të mosrespektimit të masave për distancimin social, por këtë javë kurba e të infektuarve shënoi rënie të ndjeshme. Zv. ministri i brendshëm, Besfort Llamallari, i cili zëvendësoi prefektin e shkarkuar të Shkodrës, tha se tashmë ka një ndërgjegjësim më të madh të qytetarëve për zbatimin e masave për mospërhapjen e kovidit.

"Janë bërë thirrje të ndryshme edhe nga krerët e komuniteteve fetare, nga përsonalitete të qytetit, nga figura të çmuara që ka nxjerrë ky qytet, të cilët vazhdimisht kanë bërë thirrje për sensibilizim për të qendruar në shtëpi. Dhe, unë i falenderoj nga zemra të gjithë këto përsonazhe, të cilët janë bashkuar me përpjekjet tona. Besoj se rezultatet janë edhe në rrugë të mbarë ku, në ndryshim nga ditët e mëparshme, lëvizjet e pakontrolluara janë më të pakta, kundrejt autorizimeve", thotë ai.

Disa vendime të komisionit të mbrojtjes civile si dhe një kontroll më i mire i tregjeve të hapura, sipas zotit Llamallari, kanë ndikuar në të mirë të përmirësimit të gjendjes në Shkodër. Edhe kryetarja e Bashkisë së Shkodrës, Voltana Ademi, thotë se situata ka njohur përmirësim, por shton se është i nevojshëm një testim sa më i shpejtë, sidomos për punonjësit e institucioneve që shërbejnë në vijën e pare.

"Ajo që unë kam verifikuar është fakti se, ka një numër të rritur të policisë në Shkodër, ndoshta të postoblloqeve që kontrollojnë. Nga ana tjetër, u rrit për një moment numri i testimeve në Shkodër, por unë kam kërkuar zyrtarisht që të rritet numri i testimeve në institucionet që janë në vijën e parë, në spital, policinë e rendit, forcat e ndërhyrjes së shpejtë, ushtarët që janë në rrugë, punonjësit që kryejnë çdo ditë dezinfektimin në territor, punonjësit që shërbejnë pranë familjeve në asistencën për të moshuarit dhe të tjerë. Dhe, mendoj se këta kërkojnë një testim të domosdoshëm, të menjëhershëm, dhe shpresoj që të fillojë menjëherë", tha ajo.

Kryebashkiakja Ademi thotë se rastet e fundit me COVID-19 janë në të njëjtat institucione ku verifikohen problem, si në spitalin rajonal, ashtu edhe në polici.

Zonja Ademi, e cila ka qenë mjaft kritike ndaj masave të marra nga qeveria, por edhe mungesës, sipas saj, të vemendjes për situatën në Shkodër, thotë se zgjatja e gjendjes së fatkeqësisë natyrore deri më 23 qershor ka krijuar paqartësi në lidhje me strategjinë që do të ndiqet për hapjen e ekonomisë.

"Nëqoftëse do të vazhdojmë testimin ne do të dalim më shpejt nga situata e pandemisë, apo e kontrollit të pandemisë. Ne kemi shumë nevojë të bëjmë të mundur që biznesi të fillojë punën. Nëqoftëse jemi në një stanacion izolimi të detyruar, se nuk kemi mundësi tjetër për t’u përballur me sfidën e pandemisë, është fatkeqësi shumë e madhe për shqiptarët, e sidomos për ekonominë shqiptare, sepse pas kësaj do të kemi atë “pandeminë kombetare”, që lidhet me varfërinë dhe mundësinë e vijimit të një jete normale për arsye të pamundësisë ekonomike", thotë ajo.

Zv. ministri Llamallari thotë se të gjitha strukturat janë të angazhuara për të mbajtur një linjë në ulje të numrit të të infektuarve dhe për kthimin sa më parë në normalitet edhe për Shkodrën. Ai shtoi se për ketë qëllim po bashkëpunohet edhe me strukturat vendore.

"Sigurisht, vendimmarrjet dhe masat e përbashkëta, të marra në terren, flasin pikërisht për ketë bashkëpunim, për ketë mirëkuptim. Dhe, padyshim përgjegjësia është e përbashkët dhe kuptimi dhe nevoja e bashkëpunimit është ajo çfarë kërkohet nga ligji dhe pritet nga çdo qytetar i Shkodrës", tha ai.

Fillimi i javës së ardhshme pritet të shënojë edhe hapjen graduale të ekonomisë së qytetit të Shkodrës, një qytet që vazhdon të vuajë nga niveli i lartë i papunësisë, informaliteti, por edhe tensionet, shpesh artificiale, të krijuara nga të dy krahët e politikës.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat