Shkodra shkon me shpejtësi drejt hapjes - Bota Sot
Shkodra shkon me shpejtësi drejt hapjes

Shkodra

Shkodra shkon me shpejtësi drejt hapjes

Më: 18 maj 2020 Në ora: 14:17
Shkodra

Shkodra, qyteti i dytë pas Tiranës për nga përhapja e COVID-19, po shkon me shpejtësi drejt hapjes. Patrullat e përbashkëta, me policë dhe ushtarë të armatosur, janë larguar nga qendrat e qytetit dhe levizja e automjeteve dhe e qytetarëve i është rikthyer ritmit të zakonshëm. Në rrugë ka prani të shumtë të qytetarëve, por të paktë janë ata që vazhdojnë të mbajnë maska dhe të zbatojnë distancimin fizik, megjithë paralajmërimin e autoriteteve për rrezikun e një vale të re të infeksionit nëse nuk zbatohen masat për mospërhapjen e virusit. Ndërkohë, njësitë tregtare dhe ato të shërbimeve i janë rikthyer punës, por klientët vazhdojnë të jenë të pakët.

Gjatë kësaj jave në Shkodër nuk u konfirmua asnjë rast i ri me COVID-19, treguesi ky më i ulët i gjithë periudhës së deritanishme të pandemisë. Sipas të dhënave zyrtare të Ministrisë së Shëndetësisë, që nga fillimi i pandemisë Shkodra ka rregjistruar 119 raste me COVID-19, mes të cilave 2 humbje jete. Por zyrtarë të bashkisë thonë se numri i të vdekurve për shkak të coronavirusit është më i madh, të paktën 6 përsona.

Ekipet e epidemiologëve vazhdojnë të shfaqen në qytet me veshjet e tyre të bardha, në gjurmim të rasteve të dyshuara për COVID-19. Por numri i tamponëve është zvogëluar në krahasim me javët e kaluara. Gjatë dy ditëve të fundit janë marrë vetëm dhjetë tamponë, të cilët kanë dalë negativë.

Ndërkohë është mbyllur qendra e karantinimit, e hapur në mjediset e konviktit të Universitetit të Shkdorës, ku iu nënshtruan karantinës dy javorë 39 persona.

Por nga pikëkalimi kufitar-doganor i Hanit të Hotit, në kufirin e Shqipërisë me Malin e Zi, vazhdojnë të hyjnë shtetas shqiptarë. Sipas të dhënave të policisë kufitare, vetëm dje kanë hyrë 18 shtatas, të cilët po karantinohen në banesa.

Që nga fillimi i pandemisë, Shkodra u shndërrua jo vetëm në një zonë të kuqe për shkak të numrit të lartë të të infektuarve, por edhe në një qendrër përplasje mes qeverisjes vendore dhe asaj qendrore si dhe të dy krahëve të politikës në lidhje me mënyrën e menaxhimit të situatës në këtë qytet. Por, me paksimin e rasteve me COVID-19, ditët e fundit, përplasjet duket se po shkojnë drejt zbutjes për t’i lënë vendin, mesa duket, temave të tjera që lidhen me ekonominë dhe turizmin në Shkodër./Voa/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat