“Qëllova në drejtim të makinës, por…”, zbardhet dëshmia e autorit të dyshuar të vrasjes në Shkodër

Shkodra

“Qëllova në drejtim të makinës, por…”, zbardhet dëshmia e autorit të dyshuar të vrasjes në Shkodër

Më: 20 gusht 2020 Në ora: 08:23
Smakaj, Kraja

I penduar dhe i rënduar psikologjikisht është shfaqur autori i dyshuar Stjuart Smakaj, që vrau aksidentalisht shokun e tij të ngushtë, Gledis Kraja.

Smakaj, pasi u vetëdorëzua një ditë më pare, ka pranuar krimin e kryer, ku humbi jetën shoku i tij i ngushtë.
Smakaj ka deklaruar në polici se gjatë sherrit shtetasi Denis Halili është larguar në drejtim të makinës së dezinfektimit dhe në atë moment i ka lindur dyshimi se mund të marrë ndonjë armë, ndaj dhe është ngjitur me shpejtësi në katin e dytë në pallatin ku banonte dhe ka marrë armën me idenë për të qëlluar shtetasin Denis Halili, por nuk e ka ditur se pas makinës ka qenë edhe shoku i tij.

“Kam qëlluar në drejtim të makinës, ku ishte Denisi, por nuk e dija se aty kishte shkuar edhe shoku im dhe e kam vrarë gabimisht”, ka thënë ai. Smakaj ka sqaruar edhe pjesën tjetër të ngjarjes që sherri ka nisur për parkimin e kamionit të mobilieve, të cilat i kishin porositur dy vëllezërit dhe më pas janë konfliktuar fizikisht mes njëri-tjetrit.

Ndërsa shtetasi Denis Halili ka deklaruar se kur ka ikur në drejtim të makinës, atë e ka ndjekur nga pas shtetasi Gledis Kraja që të mos futej brenda në mjet. Në atë moment kur të dy ndodheshin te makina kanë dëgjuar krismat e armës. “Kam ikur me shpejtësi, jam shtrirë dhe më pas kam ikur me vrap për t’i shpëtuar plumbave. Duke ikur kam parë se Gledis Kraja ishte plagosur dhe ra në tokë”, ka deklaruar Halili.

Në këtë ngjarje ishin përfshirë në njërën anë vëllezërit Smakaj, shoku i ngushtë Gledis, që humbi jetën, babai i tyre dhe disa persona të tjerë, ndërsa në anën tjetër pronari i mobilierisë nga Fushë Kruja, kunati i pronarit dhe shtetasi Denis Halili bashkë me shoferin e kamionit të mobilerisë.

Ndërkohë, në kërkim është ende shtetasi Sebastian Smakaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat