Koncesioni i laboratorit në Spitalin e Shkodrës, kërkohet largimi i 25 punonjësve

Shkodra

Koncesioni i laboratorit në Spitalin e Shkodrës, kërkohet largimi i 25 punonjësve

Më: 21 janar 2021 Në ora: 17:40
Ardjan Dajti

Kërkesa për dorëheqje, dërguar 25 punonjësve në repartin laboratorik pranë Spitalit Rajonal Shkodër, ka nxitur reagimin e sindikatave, të cilat e quajnë këtë kërkesë të paligjshme.

Paolo Kaceri, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë shprehet se kjo kërkesë është tërësisht në kundërshtim me ligjin dhe Kodin e Punës, pasi këto punonjës gëzojnë kontratë kolektive.

“Janë të gjitha pikat të pabazuar në ligj. Janë shkel direkt 138 dhe 139 të Kodit të Punës për transferimin e ndërmarrjes”, tha Paolo Kaceri, kryetar i Sindikatës së Shëndetësisë.

Për kryetarin e Bashkimit të Sindikatave të Pavarura të Shqipërisë, Albert Tuka, e gjithë kjo procedurë është shkelje flagrante e ligjit, si dhe shton se nuk është njoftuar në asnjë moment sindikata.

“Nuk na kanë bërë asnjë njoftim dhe ne e kemi kundërshtuar largimin e këtyre 21 punonjësve. Ata thonë se Spitali Rajonal Shkodër është i detyryar që të bëjë shkurtime. Pra e kanë bërë taksative”, tha Albert Tuka. Kryetar i Bspsh

Më herët, kontratën e lidhur mes koncensionarit dhe kërkesën për largim të punonjësve, e komentoi edhe drejtori I spitalit të Shkodrës, Ardjan Dajti.

“Ne jemi në një proces ku së shpejti do të fillojnë privatizimet dhe dhënien me koncesion të laboratorit. Por të gjithë punonjësve të laboratorit do t’u jepet mundësia punëdhënësi i ardhshëm. Pra do të shkëpusin lidhjet nga spitali do të vazhdojnë tek koncesionari”, tha Dajti.

Ditët në vijim pritet të ketë dhe një reagim nga vetë mjekët të cilët nga sa janë shprehur deri më tani jashtë kamera, nuk do japin në asnjë moment dorëheqjen pa pasur siguri për vazhdimësinë.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat