Në Muriqan e Obot niveli i ujit deri në 2.5 metra, banorët: Shteti të na ndihmojë

Shkodra

Në Muriqan e Obot niveli i ujit deri në 2.5 metra, banorët: Shteti të na ndihmojë

Më: 29 janar 2021 Në ora: 17:39
Shkodër

Për të 22 ditë me radhë situata në nën-Shkodër vijon të jetë e rëndë, përsa i përket përmbytjeve. Qindra hektarë tokë janë ende nën ujë, ndërsa në disa zona shkon deri në 2.5 metra.

Liqeni i Shkodrës dhe lumi Buna i kanë kaluar kuotat maksimale dhe harta e përmbytjes në nënshkodër nuk ka ndryshuar nga një ditë më parë, duke mbetur në 2865 hektarë nën ujë.

Edhe pse argjinatura në Shiriq është riparuar provizorisht, ende qindra hektarë janë ende të përmbytura.

Familjet jetojnë mes frikës ndaj bëjnë apel për ndihmë.

“Nuk kemi as tagji, as koncentrate, asgjë, sepse ka shkuar çdo gjë zero.”

Zyrtarët lokalë të njësisë administrative Dajç thonë se bordi i kullimit në Lezhë nuk ka hedhur asnjë qindarkë për 18 kilometra argjinaturë.

“Rrezikohet jeta e banorëve, cenohet siguria kombëtare. Të mos kesh buxhet për mirëmbajtjen gjatë 12 muajve të vitit është e pafalshme.”

Prefektja e Shkodrës, Majlinda Angoni ka hedhur akuza ndaj Bashkisë që drejtohet nga demokratja Voltana Ademi e cila vijon të kërkojë shpalljen e gjendjes së fatkeqësisë natyrore lokale.

“Të themi të drejtën është një situatë e tendosur. Është detyrë e Bashkisë Shkodër për t’ju përgjigjur situatave.”

Fshatrat Obot dhe Muriqan janë në gjendje më të rëndë, pasi niveli i ujit për të 22 ditë me radhë shkon deri në 2.5 metra, ndërsa një rrije e mundshme e nivelit do të sillte nevojën për evakuime masive.

“Problemi më i madh është se nëse do të kemi rritje edhe pak të ujit, nuk do mund të lëvizin më makinat e ushtrisë.”

Kaskada ndodhet gjithashtu nën efektin e prurjeve ku në 24 orët e fundit ato janë në nivelin e 740 metrave / kub në sekond ndërsa shkarkimet nga Vau Dejesi në 500 meter/kub në sekond.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat