Në pritje të dëmshpërblimit, nis verifikimi i dëmeve në tokat e përmbytura të Nënshkodrës

Shkodra

Në pritje të dëmshpërblimit, nis verifikimi i dëmeve në tokat e përmbytura të Nënshkodrës

Më: 6 mars 2021 Në ora: 14:41
Sabah Vjerdha

Sabah Vjerdha është banor i fshatit Trush, rreth 20 dynym tokë në pronësi të tij prej 40 ditësh kanë qenë nën pushtetin e ujit, ndërsa thotë se shpresat për t’u dëmshpërblyer i ka të pakta.

“Në 2018 shpëtuam nga uji, këtë vit u përmbytëm përsëri. Në 2010 na kanë dhënë pak dëmshpërblim, kurse në 2018 asnjë lekë”- u shpreh fermeri.  

Me largimin e ujit ai ka nisur me përdorimin e pesticideve për rigjenerimin e tokës me shpenzimet e veta. Fermeri bën apel për ndihmë, pasi situata është tejet e vështirë.

“Sipërfaqja e tokave është 24 dynym, janë të mbjella me jonxhe dhe grurë. Nuk kemi të ardhura të tjera, vetëm këtë pak tokë dhe bagëtit që mbajmë”- tha banori.

Xhavid Pëllumbi, specialist pranë bujqësie pranë bashkisë Shkodër shprehet se problematika më e madhe qëndron në faktin se këto toka janë përmbytur disa herë dhe rendimenti i tyre ka rënë.

“Dëmi në kulturat bujqësore është jashtëzakonisht i madh, në grurë, në hasëll në jonxhë, në bimë dekorative, në sera edhe kultura të tjera të stinës. Përmbytjet e vazhdueshme që po i ndodhin kësaj zone, po sjellin degradim të tokave bujqësore, duke i kryer në moçalishte, pasi përmbytjet janë periodike çdo dy vjet”- theksoi Pëllumbi.   

Drejtori i zyrës së bujqësisë, Alban Sekja zbulon faktin se si pasojë e pandemisë fermerët kanë mbjellë më shumë e si pasojë të qëndrimit për më shumë se 40 ditë të ujit nëpër toka dëmet përllogariten më të mëdha se në përmbytjet e vitit 2018.

“Sipërfaqja e mbuluar nga uji ka qenë më e vogël se në 2018, por fermerët duke shfrytëzuar situatën e pandemisë kanë kultivuar më tepër tokë bujqësore, kanë rritur sipërfaqet e me të mbjella. Në 2018 ka qenë sipërfaqe më e madhe nën ujë, por tokë e kultivuar më pak”- shtoi Sekja.

Në vitin 2018 dëmet në tokat e nën Shkodrës u llogaritën në më shumë se 3 milionë euro ndërsa banorët nuk u dëmshpërblyen asnjëherë.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat