Të zhdukurit në komunizëm

Shkodra

Të zhdukurit në komunizëm

Më: 28 maj 2021 Në ora: 21:58
Shkodër

Në takimin që Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit zhvilloi sot në mjediset e Muzeut të qytetit të Shkodrës merrnin pjesë përfaqësues të familjeve të të zhdukurve, nga Shkodra dhe Malësia e Madhe, si dhe ambasadori Prezencës së OSBE në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco.

Drejtuesja e Autoritetit, Gentiana Sula, thotë se prej 30 vitesh çështja e të zhdukurve në komunizëm vazhdon të jetë një nga shqetsimet e shoqërisë shqiptare. Ndaj, po bëhen përpjekje për adresimin e kësaj çështje duke bashkëpunuar me familjarët e tyre dhe institucionet shtetërore.

“Nuk është e lehtë që, pas shumë vitesh, të gjesh gjëra kur nuk ke dokumente pasi njerëzit po vdesin përditë, qoftë nga ana e sistemit të kaluar, qoftë nga ana e viktimave. Por, të paktën shteti duhet të dëshmojë që është serioz, të ndjeki procesin, të dëgjojë familjarët, të cilët shpesh herë kanë marrë dëshmi të kohës, t’i dëgjojë, t’i administrojë, të mos tjetërsohet toka ku thuhet se ka ndodhur, po përkundrazi të qartësohet fati, të kuptohet çfarë ka ndodhur, të kërkohet”, tha ajo.

Simon Miraka, pjesëtar i Autoritetit për Informimin mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit, thotë se, edhe pas 30 vitesh nga shembja e komunizmit, vazhdon të jetë i lartë numri i përsonave që ende nuk kanë një varr.

“Çdo ditë vijnë familjarë, të afërm të këtyre njerëzve që kanë mbetë pa varr dhe japin informacione. Ka familjarë që e dinë edhe vendin e ekzekutimit. Nga statistikat dimë se janë afërsisht 6 mijë të ekzekutuar, 4 mijë janë pa varr”, tha ai.

Stela Karafili ka ardhur nga emigracioni dhe, prej një viti, është në kërkim të eshtarve të gjyshit të saj, të pushkatuar në vitin 1952. Ajo thotë se kërkimet e familjes kanë qenë të shumta, por pa sukses.

“Baba im, Franco Karafili, ka bërë përpjekje që në vitin 1991 me bashkëqytetarë të Korçës dhe me shoqatën e ish të përndjekurve politikë të Korçës. Unë kam bërë përpjekje edhe para dy viteve përmes Komisionit Ndërkombëtar të të Zhdukurve, por pa rezultat, sepse zbardhja e krimeve te komunizmit dhe çështja e të zhdukurve nga legjislacioni shqiptar nuk njihet si vepër penale. Pra, ne ligjërisht nuk kemi të drejtë për gërmim dhe nuk kemi mundur të veprojmë, sepse edhe vetë Komisioni Ndërkombëtar i të Zhdukurve nuk mund të veprojë pa lejen e organeve qeveritare shqiptare”.

Pjesëmarrës ne takimin e sotëm në Shkodër, Ndoc Çulaj, përfaqësues i shoqatës së familjarëve të të pushkatuarve në komunizëm, thotë se edhe në familjen e tij ka përsona të zhdukur nga regjimi komunist i kohës.

Për ambasadorin e Prezencës së OSBE në Shqipëri, Vincenzo Del Monaco, është e nevojshme që Shqipëria të bëjë drejtësi edhe për përsonat e zhdukur për shkaqe politike gjatë periudhës së komunizmit.

“Ky moment është i rëndësishëm sepse flasim për një drejtësi tranzitore dhe një drejtësi që sjell pajtim, që bashkon njerëzit dhe lidh të shkuarën me të ardhmen. Është e rëndësishme që Shqipëria t’i bëjë mirë llogaritë me të shkuarën dhe në një mënyrë demokratike me qëllim që të ketë një të ardhme më të mirë dhe më të ndërgjegjëshme. OSBE e ka marrë shumë seriozisht drejtësinë tranzitore”.

Pjesë e takimit të sotëm në Shkodër, ishte edhe një ekspozitë me profilet e të zhdukurve në komunizëm , organizuar nga Autoriteti për Informimin mbi Dosjet e ish Sigurimit të Shtetit dhe Komisioni Ndërkombëtar i të Zhdukurve./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat