Dixhitalizimi i fondit të bibliotekës së Shkodrës

Shkodra

Dixhitalizimi i fondit të bibliotekës së Shkodrës

Më: 17 korrik 2021 Në ora: 20:18
Biblioteka e Shkodrës

Zhvillimi i teknologjisë, internetit dhe mediave sociale kanë sjellë vitet e fundit risi edhe në drejtim të bibliotekave në Shqipëri. Pjesa më e madhe e tyre, si bibliotekat publike ashtu edhe ato universitare, po ndërtojnë bibliotekat dixhitale duke u mundësuar lexuesve dhe studiuesve të përdorin fondet e tyre nga kudo ku ata ndodhen.

Drejtori i bibliotekes publike “Marlin Barleti” në Shkodër, Maxhid Cungu, thotë se prej disa vitesh po punohet për dixhitalizimin e fondit të librave si dhe katalogimin e tyre.

“Është filluar me kriterin e fondeve më të rëndsishme siç janë revistat e vjetra të viteve ’10, ’20 të shekullit të kaluar, por edhe libra të vjetër, që tashmë janë antikuare, për shkakun që të ruhen nga përdorimi fizik i tyre”, thotë ai.

E krijuar në vitin 1931, biblioteka publike “Marin Barleti” e qytetit të Shkodrës ka një fond me 82 mijë tituj librash, 155 dorëshkrime të autorëve të njohur si Dora Distria, Gjeçovi apo Fishta si dhe rreth 200 antikuare që ruhen me shumë kujdes. Kjo pasuri e bibliotekës, thotë specialistja e mediatekës, Siditë Halluni, ka nisur të dixhitalizohet për ta sjellë më afër lexuesve dhe studiuesve.

“Së fundmi janë dixhitalizuar të gjithë librat e Hamid Gjylbegut dhe, në proces pune, kemi Seminarin ndërkombëtar “Shkodra ndër shekuj”. Mendojmë që, deri në fund të vitit, të arrijmë të dixhitalizojmë rreth 25 libra. Momentalisht janë 63 mijë faqe në internet dhe po punojmë çdo ditë", thotë ajo.

Dixhitalizimi ruan formatin e librave dhe krijon mundësinë për t’u shfletuar lehtësisht në kompiutër, tablet apo celular.

“Ne jemi mundu të ruajmë komplet formatin, pra pa e prerë, ashtu siç ka qenë në përmasat e tij. Ka një rezolucion shumë të mirë, pra një qartësi në paraqitjen në kompiutër dhe ruhet kopja fizike sepse, duke u përdorë vazhdimisht, ato konsumohen më tepër.”

Gjatë vitit të kaluar, për shkak të pandemisë dhe masave kufizuese për mospërhapjen e virusit, edhe bibliotekat u mbyllën për disa muaj, por ishte biblioteka dixhitale ajo që nuk e shkëputi lexuesin nga biblioteka.

“Në kufizimin që patme me lexuesit për shkak të pandemisë, kur u ndalu për një farë kohe dhënia e librave në biblioteke, faqet tona në internet janë ndjekur shumë nga lexuesit dhe kjo na ka nxit për të rritë kapacitetet, qoftë në teknologji, qoftë në njerëz, për t’i pasë të shikueshme në faqen tonë të internetit.”

63 mijë faqet e dixhitalizuara janë vetëm një pjesë e fondit më të rëndësishëm të librave dhe dorëshkrimeve që ruaj biblioteka 90 vjeçare “Marin Barleti’ e qytetit te Shkdorës.

Por, drejtori Cungu thotë se po punohet që, në të ardhmen, të rritet shpejtësia e dixhitalizimit të fondeve përmes paisjes me teknologji të reja./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat