Shkodra përballet me ndotjen e mjedisit dhe ndërtimet e paligjshme

Shkodra

Shkodra përballet me ndotjen e mjedisit dhe ndërtimet e paligjshme

Më: 30 korrik 2021 Në ora: 18:43
Shkodër

Rajoni i Shkodrës, me 5 bashkitë e tij, vazhdon prej vitesh të përballet me problematika në drejtim të dëmtimit të mjedisit natyror dhe ndërtimeve të jashtëligjshme. Operacioni “Bregdeti ynë”, që nisi dy muaj më parë nga Velipoja, riktheu në vemendjen e autoriteteve problemet thuajse të harruara në drejtim të dëmtimit të mjedisit dhe ndërtimeve të paligjshme edhe në zonat e mbrojtura.

Zëvëndës kryeinspektori i Inspektoriatit Kombëtar të Mbrojtjes së Territorit,(IKMT), Guri Seferi, i cili u komandua javët e fundit në Qarkun e Shkodrës, i tha Zërit të Amerikës se janë të shumta problematikat në këtë zonë.

“Të gjitha ndërtimet pa leje në zonën e bregut të rërës u prishën. U prishën 15 objekte. Kurse për problemet e mjedisit unë kam gjetur një problematikë, që vazhdoj ta ndjek, sidomos në zonat e lumenjve të qarkut, në zonën e Bunës dhe të Drinit, ku disa subjekte pa leje dhe të paligjshëm kanë marrë edhe inerte në lumë, për të cilët kemi filluar edhe procedimet”.

Ndërtimet e jashtëligjshme po dëmtojnë edhe zonat e mbrojtura Park Natyror. Sipas zotit Seferi, është vërejtur se ndërtime të jashtëligjshme po vazhdojnë edhe në Parkun Natyror të Razmës, në Malësi të Madhe, një nga pikat e rëndësishme turistike për turizmin malor.

“Të gjithë këto subjekte, qofshin një apo shumë subjekte, sepse janë pesë sheshe ndërtimi, të gjithë do të ndeshen me ligjin. Puna jonë ishte kjo; të bëjmë dokumentacionin, t’a paraqesim pranë organeve ligjzbatuese, që është prokuroria. Dhe prokuroria të marrë masat e ndalimit dhe proçedimit penal të subjekteve që kanë prishur mjedisin dhe pyjet dhe kanë shqetësuar edhe turistët që pushojnë në atë zonë”.

Zoti Seferi thotë se tashmë janë krijuar të gjithë hapsirat ligjore, pranë pushtetit vendor, që çdo qytetar, i cili ka nevojë të bëjë një ndërtim, të aplikojë pranë bashkisë dhe të marrë lejen e ndërtimit për banesë, shërbime apo turizëm, duke shmangur kështu problemet me organet ligjzbatuese.

Por eksperti i mjedisit, Mark Rupaj, i tha Zërit të Amerikës se procedurat e aplikimit për ndërtime në zonën turistike malore janë mjaft burokratike. Në Parkun kombëtar të Thethit, thotë ai, më shumë se 90 përqind e familjeve, që jetojnë prej shekujsh në këtë territor dhe nuk kanë konflikte pronësie me njëri-tjetrin, e kanë të

pamundur të zhvillojnë pronën e tyre në funksion të turizmit pasi nuk janë të paisur ende me çertifikatën e pronësisë.

“Është diçka që realisht po pengon edhe perspektivën e zhvillimit në Theth. Sepse, pa të drejtën e pronësisë, njerëzit nuk kanë as siguri investimi. Hasin edhe probleme me ligjin siç kanë hasur edhe banorët që kanë investu në bujtinat, që reklamohen si bujtinat më pritëse në Alpet e Shqipërisë, por që mbrapa kanë edhe fatura gjobash, qoftë për një ndërhyrje në dritare, qoftë për një riparim çatije. Sepse, për çdo lloj aplikimi kërkohet një çertifikatë pronësije, të cilën ata nuk e kanë”.

Prej 30 vitesh në Shqipëri vazhdojnë ndërtimet e jashtëligjshme dhe, bashkë me to, edhe aksionet për shembjen e tyre nga policia dhe Inspektoriati i Mbrojtjes së Territorit, kosto kjo mjaft e lartë për qytetarët, por edhe për vetë shtetin. Megjithëse ndër vite janë ngritur struktura të specializuara, në nivel kombëtar dhe të bashkive, ato nuk arrijnë të parandalojnë që në fillesë, ndërtimet e jashtëligjshme dhe dëmtimet e mjedisit natyror./VOA

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat