Meta në Shkodër: Të rinjtë do të bëhen promovuesit e Aleancës për dhurimin e gjakut

Shkodra

Meta në Shkodër: Të rinjtë do të bëhen promovuesit e Aleancës për dhurimin e gjakut

Më: 3 gusht 2018 Në ora: 15:29
Ilir Meta ishte sot në qytetin e Shkodrës.

Në kuadër të nismës së ndërmarrë, “Aleanca për Dhurimin e Gjakut”, Presidenti i Republikës, Ilir Meta ishte sot në qytetin e Shkodrës.

Meta së bashku me Kryebashkiaken e Shkodrës, Voltana Ademi ndoqën nga afër seancën e dhurimit të gjakut nga punonjës të administratës dhe qytetarë të shumtë shkodranë, kryesisht të rinj.

Meta falënderoi Kryetaren e Bashkisë, Voltana Ademi, njëkohësisht edhe kryetare e Shoqatës së Bashkive të Shqipërisë, e cila bashkarisht me qytetarët shkodranë, iu përgjigjën që në fillim e në mënyrë konkrete thirrjes së kreut të shtetit dhe të "Aleancës për Dhurimin e Gjakut".

“Ju falënderoj për këtë seancë dhurimi gjaku në Bashkinë e Shkodrës, pikërisht në këto ditë të nxehta gushti kur ka nevojë më shumë se asnjë herë tjetër, për të mbajtur procesin e dhurimit të gjakut në parametra normalë. Jam i bindur që do të kemi edhe shumë seanca të tjera në vazhdimësi në mënyrë që të krijojmë një traditë të qëndrueshme dhe pozitive.

Dhurimi i gjakut është një proces 100% i sigurtë dhe një proces tepër i shëndetshëm, sidomos për të rinjtë dhe për të rejat, që unë besoj se do të bëhen edhe promovuesit kryesorë të kësaj Aleance dhe të këtij solidariteti mbarëshoqëror.” – u shpreh Presidenti Meta. 

Kreu i Shtetit vuri në dukje gjithashtu se: “Qëllimi kryesor i Aleancës është që në vitin 2020 ne të arrijmë atë objektiv të vendosur edhe nga Organizata Botërore e Shëndetësisë, që dhurimi i gjakut të jetë një proces tërësisht i garantuar në mënyrë vullnetare dhe një proces i stabilizuar e afatgjatë.

Ju faleminderit të gjithë qytetarëve të Shkodrës që janë përgjigjur pozitivisht dhe po marrin pjesë në këtë seancë dhurimi, që besoj se do të vijohet nga të gjithë anëtarët!”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat