Pamjet shokuese të një atentati: 5 muajt e përgjakshëm të Shkodrës

Shkodra

Pamjet shokuese të një atentati: 5 muajt e përgjakshëm të Shkodrës

Më: 15 nëntor 2018 Në ora: 06:26
Atentati në Shkodër

Qyteti i Shkodrës është tronditur paraditen e djeshme nga një atentat që la pas një të vdekur dhe një të plagosur në gjendje të rëndë. Në lagjen “Rus” të Shkodrës u qëllua me breshëri plumbash Fatos Ferracaku, i cili mbeti viktimë, dhe i plagosur mbeti Fatmir Mehaj që ndodhet në spital. Fatos Ferracaku është qëlluar me plumba në kokë dhe në gojë teksa po pinte kafe në një lokal me mikun e tij Fatmir Mehaj.

Vrasja e biznesmenit Fatos Ferracakut mesditën e së mërkurës ka rikthyer vetëm pas 2 muajsh ngjarjet kriminale në Shkodër. Në 5 muajt e fundit, kryeqendra e veriut ka shënuar 7 vrasje, 6 prej të cilave të tipit mafioz.

Gjithçka nisi në 18 Qershor kur u ekzekutua me një plumb në kokë Mehdi Kavaja, pronar i një servisi. Motivet dhe autorët ende nuk dihen. Kjo ngjarje do të pasohej ndoshta nga një nga krimet më të rënda të ndodhur ndonjëherë.

Në 15 Korrik u ekzekutua ish-oficeri i policisë Boran Bërçana dhe bashkëjetuesja e tij Silvi Ndoci. Ata u qëlluan në makinë në kohën kur do të zbrisnin. Bashkë me ta në mjet ishte dhe fëmija i tyre vetëm 2 vjeç. Edhe në këtë rast autorët dhe motivet nuk dihen.

Në 10 Gusht Shkodra do të tronditej nga një tjetër atentat mafioz. I vrarë mbeti Fatbardh Lici, i cili u qëllua nga një breshëri automatiku gjatë kohës që po pinte kafe në një lokal në lagjen Kiras. Ende edhe sot nuk ka të arrestuar apo një pistë konkrete ku të jetë fokusuar puna e policisë. Ndërsa në 1 Shtator u vra Arian Ferracaku, kushëri i viktimës së atentatit më të fundit në Shkodër.

Prej 23 Gushtit dy persona rezultojnë të zhdukur në Shkodër. Për fatin e Agron Mollajt dhe Gëzim Hysjat, dajë e nip mes tyre, nuk dihet asgjë. Për të mos mjaftuar këto, më 27 Gusht, Alfred Pellumbi vrau komshiun e tij Prendush Fusha pas një konflikti banal.

Image
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat