Ekzekutimi i Ferracakut: A ishte ai dëshmitar i vrasjes…

Shkodra

Ekzekutimi i Ferracakut: A ishte ai dëshmitar i vrasjes…

Më: 16 nëntor 2018 Në ora: 13:54
Vrasja në Shkodër

Vrasja e Fatos Ferracakut dy ditë më parë në qytetin e Shkodrës vijon të mbetet e pazbardhur, ndërsa derimë tani nuk ka asnjë të dyshuar kryesor për ngjarjen. Sipas Fax News, dyshimet janë se atentati ndaj tij, ku mbeti i plagosur dhe kunati Fatmir Mehja, të lidhet me vrasjen në datën 1 shtator të kushëririt Arjan Ferracaku, në zonën e Livadhes. Burime bëjnë me dije se policia ka dyshime se Ferracaku ka parë vrasësit e kushëririt të tij. Kurse media të tjera kanë hedhur dyshimet se Fatos Ferracaku, i cili nuk kishte precedentë penalë, mund të ishte vrasës me pagesë.

Dy ditë pas ekzekutimit me plumb në kokë të 40-vjeçarit Fatos Ferracaku dhe plagosjes së kunatit të tij 48-vjeçar Fatmir Mehaj, puna në markatën e lagjes “Rus” në Shkodër ka nisur normalisht. Tregtarët që shesin prodhimet e tyre janë rikthyer duke vijuar aktivitetin për të siguruar të ardhurat për familjet e tyre. Shumë prej atyre dëshmitarëve që ishin të pranishëm në momentin kur u qëllua për vdekje Ferracaku nuk pranuan që të rrëfejnë ngjarjen në fjalë.

Tejet të frikësuar, ata refuzuan të prononcohen duke kërkuar të mos thonë asnjë fjalë. Edhe pse një pjesë e mirë kanë qenë aty duke shitur produktet e ndryshme si çdo ditë tjetër, ata thanë të kundërtën duke mohuar se kanë qenë aty apo s’e e kanë parë momentin e vrasjes. Madje shumë prej dëshmitarëve pohuan se nuk e kanë njohur fare viktimën dhe kunatin e këtij të fundit, edhe pse që të dy çdo ditë shisnin peshk tek markata e Rusit, vendi ku ndodhi ngjarja e rëndë. Jo vetëm shitësit, por edhe kalimtarët e rastit, shumë prej të cilëve rrezikuan nga 8 plumbat e nxjerrë nga pistoleta e atentatorit, preferuan heshtjen për shkak të frikës.

Ndërsa të gjithë bënin sikur nuk kanë parë e dëgjuar asgjë edhe pse atentati ndodhi në mes të ditës, lokali ku ishin duke pirë kafe Fatos Ferracaku dhe Fatmir Mehaj ishte i hapur. Klientët e përditshëm të asaj kafeneje të vogël kanë vijuar që të kalojnë kohën si zakonisht të pandikuar shumë nga plumbat rrëke të një dite më parë. Ndërsa, viheshin re me sy të lirë shenjat e plumbave në pjesët metalike të kafenesë apo edhe në tokë.

“Na ka shpëtuar Zoti”, u shpreh njëri prej tyre për GSH, por pa dashur që ta zgjasë më shumë apo aq më tepër që të identifikohet me emrin e tij. Ndërkaq, ngjarja e rëndë ka alarmuar policinë e Shkodrës, e cila në bashkëpunim me prokurorinë po hetojnë intensivisht për zbardhjen e plotë të ngjarjes. Burime nga policia e qytetit verior bënë me dije se në lidhje me atentatin janë shoqëruar dhe marrë në pyetje mbi 40 persona. Mësohet se mes të shoqëruarve ishte dhe anëtari i këshillit bashkiak të Shkodrës, Mustafa Lici, vëllai i Fatbardh Licit, i cili u ekzekutua në një tjetër atentat në Shkodër, të ndodhur më 10 gusht të këtij viti. Ndërkaq, gjatë marrjes në pyetje familjarët e viktimës kanë deklaruar para bluve se nuk kanë konflikte me askënd.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat