Kaosi ka mbërthyer Çarshinë e Shkupit

Shkupi

Kaosi ka mbërthyer Çarshinë e Shkupit

Më: 2 janar 2019 Në ora: 12:49
Çarshia e Shkupit

Reagimet dhe vërejtjet e Esnafit të Çarshisë së Shkupit për “kaosin” që mbizotëron në këtë pjesë historike të Shkupit – vazhdojnë të mos përfillen. Aq më pak janë shqyrtuar me seriozitet kërkesat për prezencën çdo ditë e më të madhe të automjeteve dhe motoçikletave. Përderisa me një kohë, siç kujtojnë shumë esnafë nëpër çarshi, nuk ke guxuar të ngasësh biçikletën, por vetëm ta shtysh atë, sot situata krejtësisht ka ndryshuar dhe rrugicat me kalldrëm janë shndërruar në pista garimi mes veturave. Uzurpimi i hapësirës publike po ashtu paraqet ngarkesë shtesë për imazhin e Çarshisë së Shkupit. Vendosja e reklamave vend e pa vend, mos standardizimi i tarracave verore dhe prezenca e madhe e lypsarëve janë vetëm një pjesë e gjithë kaosit të krijuar në pjesën e vjetër të Shkupit.

Kryetari i shoqatës së ESNAFIT të Çarshisë së Shkupit, Bejtullah Morina, kur flet për gjendjen e kësaj pjesë historike të qytetit, nuk e mohon faktin se aty mbizotëron një kaos i vërtet vite me radhë.
“Gjatë gjithë kohës jemi në bisedime me autoritet e Komunës së Çairit dhe me ato të Qytetit të Shkupit. Paraprakisht kemi pasur një marrëveshje të shënuar në 16 pika. Prej atyre deri më sot është realizuar vetëm një. Fillimisht me pastrimin e bulevardit përreth Bit Pazarit dhe me largimin e shitëseve të egër. Kjo gjendje vazhdoi për dy-tre javë dhe më pas gjendja u kthye siç ishte më herët. Kështu mungesa e kontrollit është evidente”, thekson Morina.

Mes tjerash, kreu i ESNAFIT thotë se arsye kryesore se pse ka shumë vetura dhe automjete në çarshi është mos funksionimi i 80 për qind i shtyllave hidraulike, respektivisht deri sa ky sistem parandalues për qarkullimin veturave ka qenë në funksion, në kompleksin e Çarshisë nuk ka pasur aq vetura sa sot.

“Deri sa i mirëmbanin ato shtylla, situata ishte më e mirë. Por, tash si duket ju ka skaduar afati i mirëmbajtjet dhe autoritetet lokale ende nuk kanë përzgjedhë ndërmarrje të re që do ti mirëmban këto shtylla. Fatkeqësisht, institucionet i hedhin kompetencat të njëra-tjera se kush duhet ta merr përsipër mirëmbajtjen e tyre. Ne si shoqatë shpeshherë ua kemi tërheq vërejtjen dhe i kemi njoftuar për gjendjen në fjalë. Mirëpo, ka mbetur që gjatë vitit të ardhshëm të definohen çështjen në fjalë”, thotë Morina. Ai tutje shton se para zgjedhjeve lokale dhe më pas si me kryetarin e Qytetit të Shkupit, Petre Shilegov, ashtu edhe me kryeministrin Zoran Zaev, është nënshkruar një marrëveshje për sigurimin privat të Çarshisë. Megjithatë, edhe ky premtim gjatë vitit 2018 nuk u realizua, ndërsa nuk ka siguri nëse në 2019 ky premtim do të realizohet.

Në ndërkohë, pjesa më e madhe e investimeve dhe tërheqja e turistëve bëhet nga vet iniciativat e tregtarëve në Çarshi.

“Mundohemi që me iniciativa të ndryshme ta gjallërojmë Çarshinë dhe të tërheqim më shumë turistë, megjithatë ne nuk mund ti largojmë edhe qentë endacak që në tufa nga dhjetëra qen na shëtisin tërë ditën këtu. Disa herë jemi lajmëruar edhe në Komunën e Çairit dhe në Qytetin e Shkupit, por kot. Ndihmë nuk ka”, thonë tregtarët e Çarshisë.

Lypsarët, thonë ata, janë problem që nuk po gjen zgjidhje assesi. “Çarshia, për fat të keq, po vlon nga lypsarët e organizuar. Me fëmijë në krah, sigurisht të droguar se ndryshe nuk ka kuptim që tërë ditën të flenë dhe të mos nxjerrin zë, lypsarët po i largojnë dhe blerësit dhe turistët. Nuk i lënë rahat njerëzit të futen në dyqane. Kemi kërkuar ndihmë edhe për këtë problem, por kompetencat nuk i merr askush. Nga policia na thonë të lajmërohemi në qytet apo komunë, kjo e fundit te Qendrat sociale dhe kështu secili i ik përgjegjësisë, ndërsa ne dhe Çarshia po vuan”, ankohen tregtarët.

Fitimi i grantit nga Banka Botërore për unifikimin vitrinave në Çarshinë e Shkupit dhe procedurat burokratike për marrjen e lejes për intervenim në këtë pjesë historike të kryeqytetit paraqesin arsyen kryesore se pse gjatë vitit 2018 nuk është realizuar asnjë projekt i Komunës së Çairit në Çarshi.

“Gjatë vitit 2019 planifikohet të fillohet me realizimin e projekteve ne Çarshinë e Shkupit. Fillimisht mendohet të fillohet me unifikimin e 72 vitrinave të dyqaneve në Çarshi. Paralelisht me këtë projekt mendohet të zbatohet edhe projekti për rikonstruimin e kalldrëmit. Arsyet e vonesës së deritanishme që rezultoi që këto projekte mos të realizohen në vitin 2018 lidhen me faktin se ne si komunë, kemi fituar Grant nga Banka Botërore. Kështu që procedura për marrjen e lejes nga institucionet kompetente për intervenime në Çarshi dhe njëherësh procedurat e furnizimeve publike kur janë të përfshira institucione ndërkombëtare, zgjasin më tepër dhe më të komplikuara. Ne kemi arritur që gjatë vitit 2018 arritur ti përfundojmë pjesën më të madhe të këtyre procedurave dhe brenda 2019 pritet të fillohet me punë në Çarshinë e Vjetër të Shkupit, duke e pasur parasysh karakterin e saj të lashtë”, thonë nga Komuna e Çairit, ndërsa njoftojnë se janë duke punuar në zgjidhjen e problemit me prezencën e madhe të veturave në Çarshi.

“Në periudhën që vijon do të realizohet procesi i riparimit dhe vendosjes së shtyllave të reja hidraulike, të cilët do ta pamundësojnë qarkullimin e veturave në brendësi të Çarshisë. Njëkohësisht do të ndërrohen edhe autorizimet për përdorimin e atyre shtyllave hidraulike që tregtar të caktuar të çarshisë i shfrytëzojnë. Po ashtu, patjetër do të bëhet edhe zëvendësimi i kalldellabrave të dëmtuara vite me radhë”, theksojnë nga Komuna e Çairit.

Revitalizimi përmes “Rrugës Evropiane”

“Rruga e Jorgaxhinjve”, e cila së fundmi është riemëruar në “Rrugën Evropiane” paraqet modelin më të mirë se si duhet të ringjallen rrugicat e Çarshisë së Shkupit. Kreativiteti i pronarëve të dyqaneve që funksionojnë në këtë rrugë, duke e bërë gërshetimin mes tradicionales dhe modernes, kanë arritur që këtë kënd të Çarshisë ta shndërrojnë në pjesën ndoshta më të vizituar të Shkupit për vitin 2018. Ndonëse ky epitet nuk i është dhënë nga ndonjë institucion apo shoqatë përkatëse, vetë vizita e qytetarëve, komentet nëpër rrjetet sociale, shpërndarja e fotografive me “çadrat” e famshme dhe prezenca e fundit e përfaqësues së Bashkimit Evropian, kanë bërë që kjo rrugë e çarshisë të jetë në qendër të vëmendje për shumë vizitor vendas dhe të huaj. Ndryshe, përderisa vite me radhë zhvillohet debati se cila është formula më e përshtatshme për revitalizimin e pjesës së vjetër të Shkupit, esnafi i “Rrugës Evropiane” me veprimet e tyre modeste siç ishte rasti i dhurimit të “broshit” zonjës Frederika Mogerini, ndikoi që edhe më tepër kthehet interesi për lokalet dhe vizitën e kësaj rruge. 

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat