Tuneli nën Kalanë e Shkupit, ende vetëm premtim në letër!

Shkupi

Tuneli nën Kalanë e Shkupit, ende vetëm premtim në letër!

Më: 22 dhjetor 2019 Në ora: 19:54
Aleksandar Trajanovski

Ndërtimi i bulevardit të ri nga godina e Qeverisë që duhet të kaloj mbi Lumin Vardar për të vazhduar në një tunel nën Kala, për momentin mbetet vetëm se premtim në letër. Gjatë nënshkrimit të marrëveshjes me kompaninë turke për projektin nga Qyteti i Shkupit u tha se në përdorim pritet të lëshohet në vitin 2022. Me këtë projekt kapital vlerësohet se nga lagja Vodnjanska deri në Çair do të arrihet për 5 minuta, që me trafikun aktual në rastin më të mirë në këto dy destinacione mund të arrihet më së paku për 20 minuta. Sipas autoriteteve kjo do të ulë edhe ndotjen e ajrit prej veturave nga pritjet e gjata në trafik, ku vetëm në udhëkryqin tek Q.T. “Mavrovasja” kalojnë mbi 150 mijë automjete në ditë.

“Dokumentet e projektit, sipas marrëveshjes që kemi nënshkruar në qershor të këtij viti, ofertuesi i zgjedhur duhet t’i dorëzoj deri në muajin prill të vitit 2020. Pas plotësimit të atyre dokumenteve, projekti do të shkoj në revizion dhe pastaj do të jetë i gatshëm për hapjen e tenderit. Pres që kushtet për zgjedhjen e ofertuesit më të volitshëm të bëhen të ditur deri në fund të vitit të ardhshëm”, tha Petre Shilegov, kryetar i Qytetit të Shkupit.

Këshilltarët opozitarë në Këshillin e Qytetit të Shkupit shprehen skeptik se ky projekt do të realizohet gjatë këtij mandati të Shilegovit. Ideja e këtij projekti është mbi gjysmë shekulli, kur zona nuk ka qenë aq e zhvilluar dhe kryeqyteti ishte i populluar me rreth 500 mijë banorë, thotë Trajanovski.

“Ky projekt një herë ishte edhe ne procedurë të tenderimit dhe mendoj se pikërisht për kontestet pronësore që dolën i njëjti u ndërpre. Nga ana tjetër kur të dalim nga Kalaja, ka një lagje të dendur me popullsi të quajtur ‘teneqe mëhalla’ që janë pikërisht në trasenë që planifikohet të ndërtohet”, pohoi Aleksandar Trajanovski, Këshilltar i “GROM” në Këshillin e Qytetit.

Në anën tjetër të bregut të mbipopulluar ku është paraparë të del tuneli ka shumë objekte banimi që duhet të prishen, mes të cilave edhe kjo Teqe. Banorët janë në shok.

“E kemi të dëgjuar këtë tani më ndër vite, por asnjëherë nuk u realizua. Nëse ndërtohet diçka e tillë nëpër këtë mëhallë që ka mbi 300 shtëpi, duhet dikush t’i paguaj ato objekte. Duhet të jepen shumë para që besoj se mund ta realizonte vetëm një shtet si Amerika ose Gjermania”.

Siç është prezantuar, traseja fillon nga bulevardi Shën Klimenti i Ohrit dhe do të ngrihet në lartësi prej 6 deri në 9 metra. Pastaj nga ndërtesa e Qeverisë, trafiku do të zhvillohet përgjatë një ure të re mbi Lumin Vardar, e gjatë 173 metra dhe e gjerë 20 metra, e cila do të ketë katër korsi. Ura do të vazhdojë si një viadukt i gjatë 262 metra deri në hyrje të tunelit nën Kala. Nga tuneli trafiku do të vazhdojë në një rrugë rrethore të ngritur pesë metra mbi Rrugën e “Plastikave”. Sipas vlerësimeve të Qytetit të Shkupit ndërtimi i rrugës, urës dhe tunelit nën Kala do të kushtojë rreth 30 milionë euro.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat