Objektet pa leje ngulfatin Çarshinë e Vjetër në Shkup

Shkupi

Objektet pa leje ngulfatin Çarshinë e Vjetër në Shkup

Më: 15 janar 2020 Në ora: 22:01
Shkupi

Çarshia e Shkupit nuk është më edhe aq e vjetër, siç i thonë. Banorët e lagjes më të moçme të kryeqytetit ankohen se ndërtimet e reja dhe mbindërtimet i kanë shkatërruar identitetin Çarshisë. Përreth dyqaneve të vogla, ngritën objekte të mëdha. Madje, ata thonë se meremetimet e sotshmes, në përpjekje për të rinovuar sipas modës së fundit, janë duke prishur arkitekturën e së shkuarës.

“Çarshia e Vjetër siç e njoh që nga viti 74 kur isha në zanat, nuk është njësoj. Tash me ndërtime të reja është bërë katastrofë, ato duhet të prishen krejt.”

“Më parë, ajo drejtoria për mbrojtje kulturore thoshte se duhen të bëhen meremetimet sipas rregullave, po flas përpara 30-40 vjetëve, kurse tani u shkatërrua e gjitha.”

“Më kujtohet para disa kohe siç ka qenë, e si u katandis sot. Ja kanë prishur pamjen e qytetit të vjetër. Fajet dihet kush i ka por ne nuk jemi ata që ndikojmë diçka.”

Nga Qyteti i Shkupit thonë se janë në pritje të një vendimi të Qeverisë, të cilët kanë angazhuar inspektorët për të gjetur se kush u ka dhënë dritë jeshile ndërtuesve të ngritin pallate pa leje.

Nga viti 2011 Çarshia u shpall si zonë e mbrojtur dhe të gjitha kompetencat për dhënien e lejeve të ndërtimeve nga Komuna e Çairit kaluan në Ministrinë e Transportit. Kreu i Komunës Visar Ganiu, pranon se ka dhjetëra godina të ndërtuara jashtë standardeve dhe bën thirrje që të merren masa.

“Komuna e Çairit ka evidentuar të gjitha objektet që ndërtohen pa leje, e ka informuar Qeverinë dhe Ministrinë, Qytetin e Shkupit dhe Inspektoratin Shtetëror. Kështu edhe pse nuk e kemi në kompetencë ne kemi dal i kemi evidentuar dokumentet dhe presim nga ata se çfarë masash do të ndërmarrin”, tha Visar Ganiu, Kryetar i Komunës së Çairit.

Kryetari i Çairit me bashkë partiakët e tij, erdhi në Çarshi për të promovuar punën e ndërrimit të 97 vitrinave të dyqaneve, të cilat nga funksionarët e BDI-së u patën promovuar disa herë, shkruan alsat. Sipas programit për zhvillim të turizmit, Ministrat e Ekonomisë si në kohën kur ishin Saraqini, Neziri, Kuqi ashtu edhe ministri aktual Bekteshi tha se meremetimet e Çarshisë ishin premtim i pushtetit.

“Në cilësinë e Ministrit të Ekonomisë jemi duke i ndjekur punimet për ndërrimin e vitrinave të dyqaneve një projekt, i cili ka qenë i premtuar me formimin e kësaj qeverie. Për momentin është duke u realizuar dhe shpresojmë që së shpejti edhe do të përfundoj një investim që e bëjmë së bashku me Komunën e Çairirt”, pohoi Kreshnik Bekteshi, Ministër i Ekonomisë.

Për revitalizimin e Çarshisë thanë se shteti ka ndarë 200 mijë euro, kurse me grantin prej 800 mijë eurove të marra nga Banka Botërore thanë se do të bëjnë ndërrimin e kalldrëmeve, vendosjen e gjitha kabllove prej shtyllave nën tokë etj. Premtime të këtilla për revitalizimin e Çarshisë dëgjohen që nga viti 2000. Ndërkaq, përfaqësues të lartë të BDI-së gjatë vizitave me bizneset e vogla në lagjen e “Plastikave”, zhvilluan aktivitete partiake në orar të punës së shtetit dhe me vetura zyrtare. Në kuadër të kësaj vizite edhe njëherë u përuruan punimet infrastrukturore për zgjerimin e Bulevardin, të cilat në dhjetor i përuroi Petre Shilegov dhe Zoran Zaev.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat