Normalizimi i gjendjes me koronavirusin rikthen debatin për zgjedhje në Maqedoni - Bota Sot
Normalizimi i gjendjes me koronavirusin rikthen debatin për zgjedhje në Maqedoni

Shkupi

Normalizimi i gjendjes me koronavirusin rikthen debatin për zgjedhje në Maqedoni

Më: 6 maj 2020 Në ora: 19:55
Foto ilustrim

Partitë politike në Maqedoninë e Veriut, kanë qëndrime të ndryshme lidhur me zgjedhjet e parakohshme parlamentare, nëse duhet të mbahen tani në verë apo në vjeshtë pak para skadimit të afatit katërvjeçar nga zgjedhjet e fundit, të mbajtur më 11 dhjetor të vitit 2016.

Zgjedhjet ishin paraparë të mbahen më 11 prill ndërsa paraprakisht më 16 shkurt ishte shpërndarë Kuvendi kur edhe kishte nisur me punë qeveria teknike deri në mbajtjen e zgjedhjeve.

Megjithatë për shkak të paraqitjes së koronavirusit të ri, zgjedhjet u anuluan duke ngritur edhe shumë dilema mbi funksionim e qeverisë e cila në bazë të Ligjit për qeverinë ka mandat vetëm 100 ditë.

Maqedonia e Veriut tani për dy muaj është në gjendje të jashtëzakonshme, e cila mund të hiqet apo të vazhdohet edhe për një muaj më 16 maj.

Lidhja Social Demokrate kërkon që në momentin e parë të mundshme, vendi duhet të organizojë zgjedhjet për të normalizuar punën e institucioneve.

“Gjendemi në një fazë tjetër kur sëmundja Covid-19 ngadalë po e humb intensitetin dhe qëndrimi jonë është që menjëherë pas normalizimit të gjendjes duhet të mbajmë zgjedhjet. Kjo do të ishte mirë si për ekonominë, por gjithashtu edhe duke marrë parasysh vlerësimet jo vetëm te ne, por gjithandej botës se ndoshta në vjeshtë mund të pritet valë e re e koronavirusit. Prandaj, vlerësojmë se zgjedhjet duhet të mbahen që të kemi institucione të qëndrueshme dhe në përputhje të plotë me Kushtetutën”, ka deklaruar zëdhënësi i LSDM-së, Kostadin Kostadinov.

Kjo parti vlerëson se në rast se zgjedhjet mbeten për në vjeshtë dhe nëse atëherë nuk mbahen për shkak të paraqitjes së valës së re me COVD-19, atëherë jo vetëm që nuk do të kemi Kuvend, por as qeveri funksionale pasi më 11 dhjetor mbushen katër vjet nga zgjedhjet dhe kjo sipas LSDM-së paraqet shkelje flagrante të kushtetutës.

OBRM-PDUKM-ja opozitare ndërkohë vlerëson se zgjedhje nuk mund të mbahen pa normalizimin e gjendjes.

“Nuk do të lejojmë infektimin e gjithë shtetit vetëm e vetëm që Zaevi dhe LSDM-ja të zbusin disfatën që e prek. Kur do qoftë që të mbahen zgjedhjet dhe në çfarë do qoftë mënyre që të mbahen ato, OBRM-PDUKM-ja do të jetë fituese. Por nuk është qëllimi që OBRM-PDUKM-ja të fitoj dhe në anën tjetër i gjithë shteti të infektohet. Një qeveri të tillë ne aspak nuk e dëshirojmë”, ka deklaruar Igor Janjushev, sekretar i Përgjithshëm i OBRM-PDUKM-së.

Opozita thotë se për zgjedhje mund të diskutohet vetëm pasi organet shëndetësore të konstatojnë përmirësim të gjendjes me koronavirusin dhe sipas OBRM-PDUKM-së një datë e mundshme për mbajtjen e tyre mund të jetë mesi apo pjesa e parë e korrikut.

Edhe Aleanca për Shqiptarët në opozitë kërkon që të kihet parasysh shëndeti i qytetarëve dhe zgjedhjet të mbahen vetëm pasi të jenë plotësuar kushtet dhe kërkesat e ekspertëve shëndetësorë për mbajtjen eventuale të tyre.

“Zgjedhjet duhet të mbahen në momentin që do të ketë kushte, në momentin që virulenca e virusit do të jetë më e ulët apo në fund të korrikut dhe fillim të gushtit dhe në momentin që do të krijohen kushte për çdo qytetar me të drejt vote që ka dëshirë të vijë për të votuar. Pra, këtu duhet të merr pjesë edhe diaspora, pra zgjedhjet të mbahen kur do të hapen kufijtë”, ka deklaruar kryetari i ASH-së, Zijadin Sela.

LSDM-ja në vazhdimësi ka kërkuar mbledhje të Kuvendit për të verifikuar shpalljet e gjendjes së jashtëzakonshme të presidentit të shtetit, por edhe për të mundësuar një datë të re për zgjedhjet, por një kërkesë e tilla është refuzuar nga kryeparlamentari, Talat Xhaferi dhe opozita maqedonase.

Për datën e zgjedhjeve do të diskutohet në takimin e liderëve të thirrur nga presidenti, Stevo Pendarovski që do të mbahet më 10 apo 12 maj./REL/

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat