Shkupi në pritje të rezultatit të zgjedhjeve në Bullgari

Shkupi

Shkupi në pritje të rezultatit të zgjedhjeve në Bullgari

Më: 12 korrik 2021 Në ora: 18:34
Foto ilustrim

Autoritetet në Shkup po i ndjekin me kujdes zhvillimet pas zgjedhjeve të djeshme në Bullgari, ku duket se nuk ka një fitues të qartë të zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.
 

Shkupi shpreson në formimin e institucioneve të reja në Sofje që do të mundësonte vazhdimin e dialogut për gjetjen e kompromisit midis dy vendeve për t’i dhënë fund bllokadës bullgare në rrugën e Maqedonisë së Veriut drejt integrimit evropian.

Por, analistët në Sofje vlerësojnë se qëndrimi bullgar nuk ndryshon ndaj çështjes së historisë dhe gjuhës në vendin fqinj pa marrë parasysh se kush e merr pushtetin në Bullgari.

Anton Pançev, historian dhe analist thotë përmes Skype për Zërin e Amerikës se ka shumë gjasa që partia e zotit Slavi Trifunov “Ka Një Popull të Tillë” të dalë fituese pasi të jenë numëruar votat jashtë Bullgarisë.

“Në fillim në nëntorit të vitit të kalujar, Trifunovi kishte deklaruar se propozimi bullgar ndaj maqedonasve veriorë ishte që t’u kërkojë falje atyre nëse do t’i njohin rrënjët e tyre historike bullgare dhe ne do ta njohim gjendjen e tanishme, që do të thotë ta njohim kombin (maqedonas). Dhe kjo është oferta më e mirë që mund ta marrin”, thotë analisti.

Por, pse Bullgaria medoemos paraqet veto në Bruksel ndaj Maqedonisë së Veriut dhe nuk e trajton problemin si të dyanshëm, siç sugjerojnë shumica e vendeve anëtare të bllokut, analisti Pançev përgjigjet:

“Sepse këto nuk janë probleme bilaterale, por janë të lidhura ngushtë me parimet e Bashkimit Evropian. Së pari, për të drejtat e bullgarëve në Maqedoninë e Veriut, që shpesh shkelen nga autoritetet në Shkup. Pra, është një problem me të drejtat e njeriut. Së dyti, edhe në librat mësimorë në Maqedoninë e Veriut dhe në punimet e akademikëve-gjuhëtarë atje, mund të vërehet se ka stereotipe, fyerje direkte në baza racore kundër bullgarëve. Bullgarët paraqiten si mongolë, tatarë, etj, si njerëz të paqytetëruar. Problemi është se dallimi midis veri-maqedonasve dhe bullgarëve bëhet edhe mbi baza racore, që është diçka e pakuptimtë dhe e papranueshme edhe sipas parimeve të BE-së edhe në shekullin e ri. Po të hynte Maqedonia e Veriut në BE me këto ideologji që kanë burimin nga kojha e Jugosllavisë komuniste, problemet midis dy vendeve do të vazhdonin në nivelin e Bashkimit Evropian. Pastaj, Bullgaria kërkon që të hapen dosjet e UDB-ës (ish-sigurimi jugosllav) që të rehabilitohen viktimat e regjimit komunist që gjithashtu janë vlera evropiane; janë ndër parimet kryesore në BE”, thotë historiani.

Zoti Pançev vlerëson nga ana tjetër se mund të ndodh që Bullgaria të zhytet në një krizë politike dhe të detyrohet të shkojë në zgjedhjet e treta të parakohshme brenda vitit.

Në Shkup, ndërkohë, autoritetet qeveritare nuk janë shprehur hapur se kush do të ishte më i mirë për zgjidhen e ngërçit, por dihet që Kryeministri Zoran Zaev dhe ish-kolegu i tij bullgar, Boyko Borisov i partisë GERB kanë raporte miqësore dhe partia GERB nuk ka shfaqur ndonjë retorikë të ashpër siç kanë bërë partitë tjera në Sofje ndaj çështjes së Maqedonisë së Veriut.

Qeveria maqedonase thotë se identiteti dhe gjuha maqedonase nuk janë të negociueshme, teksa opozita maqedonase dyshon se qeveria po bën pikërisht këtë. Opozita ka hartuar një rezolutë për ruajtjen e interesave maqedonase në bisedimet me Bullgarinë, për çka kërkon përkrahjen e të gjitha partive politike, ndërsa partitë shqiptare tani përë tani nuk janë shprehur në mbështetje të kësaj rezolute./VOA

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat