Pse nuk do të ketë kandidat shqiptar në garën për kryetar të Shkupit?

Shkupi

Pse nuk do të ketë kandidat shqiptar në garën për kryetar të Shkupit?

Më: 11 shtator 2017 Në ora: 17:22
Ali Ahmeti

Për herë të parë në historinë e re të garës për kryetar të Shkupit shqiptarët nuk do të kenë kandidat.

Bashkimi Demokratik për Integrim ka vendosur që të mos garojë në betejën për kryeqytetin.

Sipas burimeve të mediave, kjo punë tashmë është e kryer dhe BDI nuk do t’i hyjë garës.

Sipas analistit politik në Maqedoni, Xhelal Neziri, kjo ka ndodhur në mungesë të një kandidati që mund të tërhiqte vota.

Ai thotë se jo vetëm BDI por edhe partitë tjera nuk duhet të garojnë për qytetin e Shkupit.

“Shqiptarët në kuadër të qytetit të Shkupit janë diku 25 për qind, gjë që i demotivon partitë shqiptare të nxjerrin kandidatë për kryetar të Shkupit”.

“Gara e tyre në kryeqytet përherë ka qenë në funksion të matjes së forcave midis tyre, pa ndonjë qëllim serioz për të fituar garën zgjedhore”, ka thënë Nezirri.

“Moskandidimi i BDI-së në Shkup ndodh për herë të parë dhe mund të jetë rezultat i një marrëveshjeje koalicionuese me LSDM-në e kryeministrit Zoran Zaev”.

“Pra, Zaev të mos kandidojë kuadro për kryetar në komunat me shumicë etnike shqiptare, por t’i përkrahë kandidatët e Ali Ahmetit që në raundin e parë dhe anasjelltas – BDI ta përkrahë LSDM-në në komunat ku dominon etnia maqedonase”.

Sipas Nezirit, këto zgjedhje, edhe pse janë lokale, janë një moment kyç për të gjitha partitë politike.

“Gara nuk do të bëhet vetëm për të fituar sa më shumë komuna, por më me rëndësi do të jetë aspekti politik i rezultateve dhe momenti që mund të nxisë procese të reja në skenën politike në Maqedoni”.

“Mendoj se më i rëndësishëm në këto zgjedhje do të jetë numri i përgjithshëm i votave sesa i komunave”.

“Nëse LSDM do të arrijë të fitojë më shumë vota se opozitarja VMRO-DPMNE, atëherë do ta konfirmojë legjitimitetin për të udhëhequr vendin dhe, nëse do të ketë një epërsi të konsiderueshme, atëherë mund të priten edhe zgjedhje të parakohshme pas një viti. Nëse do të rezultojë e kundërta, pra VMRO-DPMNE të marrë më shumë vota, atëherë kjo parti do ta kontestojë legjitimitetin e LSDM-së për të qeverisur vendin dhe do të kërkojë po ashtu zgjedhje të parakohshme”.

Ai ka thënë se edhe në bllokun shqiptar gara do të jetë e ashpër.

“Ajo që vërehet te dy partitë e reja parlamentare te Shqiptarët – APSH dhe BESA – është se futen në këtë garë gati me të gjithë kapitalin që kanë. Pra, luajnë poker të rrezikshëm politik, i cili ose do t’u sjellë një dominim mbi dy partitë kushtimisht thënë të vjetra shqiptare BDI dhe PDSH – ose zhbërje”.

“Edhe Ahmeti dhe Thaçi kërkojnë shansin në këto zgjedhje që t’i rikthejnë pozicionet e humbura në zgjedhjet parlamentare të dhjetorit të vitit të kaluar, kur partitë e tyre përgjysmuan numrin e votave”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat