Kush është deputeti i vetëm i Ramës që votoi pro propozimit të Ilir Metës

Shqipëria

Kush është deputeti i vetëm i Ramës që votoi pro propozimit të Ilir Metës

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 10:16
Vitore Tusha

Maxhoranca ka rrëzuar kandidaturën e Vitore Tushës të propozuar nga Presidenti i Republikës për kryetare të Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Me 71 vota kundër, 1 pro dhe 3 abstenim, kandidatja për në Këshillin e Lartë në Drejtësi nuk mori besimin e deputetëve të PS-së për zëvendësimin e kreut aktual të KLSH-së, Bujar Leskaj. Vendimi për rrëzimin e kandidaturës së kreut të shtetit, erdhi menjëherë pas rrëzimit të saj nga Komisioni i Ekonomisë në Kuvend.

Kreu i Komisionit të Ekonomisë, Erion Braçe, gjatë fjalës së tij në Kuvend theksoi se Tusha është shumë e kualifikuar për detyra të tjera, por ka mangësi në atë të drejtimit të KLSH-së. Por ajo që ra në sy gjatë votimit të propozimit të Presidentit ishte rrjedhja e votave e disa deputetëve të PS-së.

Kundër vendimit politik të PS-së për rrëzimin e kandidaturës së Vitore Tushës u shpreh deputeti socialist, Pjerin Ndreu, shkruan Panorama. Deputeti i Lezhës ishte i vetmi që mbështeti me votë kandidaturën e Tushës për në krye të KLSH-së. Abstenim në lidhje me kandidaturën e Tushës u shprehën deputetet Vasilika Hysi, Eglantina Gjermeni dhe Almira Xhembulla.

Gjatë zhvillimit të seancës plenare, kreu i shtetit, Ilir Meta, i ktheu maxhorancës për rishqyrtim ligjin “Për tatimin mbi të ardhurat” të miratuar në Kuvend. Ndryshimet e ligjit u miratuan me paketën fiskale të vitit 2019 dhe ulin dividendin nga 15 për qind në 8 për qind.

Menjëherë pas këtij vendimi të Presidentit të Republikës u mblodh në Kuvend Komisioni i Ekonomisë dhe rrëzoi me votë dekretin. PS vendosi të fusë menjëherë në mbrëmje rrëzimin e dekretit, i cili mori 73 vota kundër, ndërkohë që Ruçi dhe Braçe nuk morën pjesë në votim.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat