Shqiptarët “dynden” për azil në Francë, 53 kërkesa në ditë

Shqipëria

Shqiptarët “dynden” për azil në Francë, 53 kërkesa në ditë

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 15:38
Foto ilustrim

Shqiptarët vijojnë të mos dorëzohen duke u përpjekur të gjejnë një jetë të re nëpërmjet aplikimit për azil.

Edhe në tremujorin e tretë të vitit, kërkesat kanë vazhduar, me shqiptarët që përbëjnë 3% të totalit prej 145 mijë azilkërkuesish gjatë tremujorit të tretë të vitit.

Kjo do të thotë se, në tremujorin e tretë të vitit, kanë aplikuar për azil për herë të parë në një prej vendeve të Bashkimit Europian plot 4800 shtetas shqiptarë. Por ku është përqendruar ky fluks migrator në formën e azilkërkuese? Trendi vazhdon të jetë i njëjtë.

Franca mbetet zgjedhja e parë e azilkërkuesve shqiptarë. 38% e tyre e kanë zgjedhur, ose në terma absolutë, 1835, 300 më shumë se tremujori i dytë i vitit. Në Francë, shqiptarët janë kështu grupimi i dytë më i madh i azilkërkuesve, pas afganëve.

Zgjedhja e dytë e shqiptarëve ndërkohë, pas Francës, mbetet Greqia, me 17% të totalit, ose 830 aplikime. Në vend të tretë është Mbretëria e Bashkuar, me 13% të totalit. Shqiptarët ndërkohë janë të parët vetëm në Irlandë dhe Islandë, por me një numër total aplikimesh që nuk i kalon 150, raporton "scan".

Mesatarisht, Shqipëria e ka furnizuar Bashkimin Europian gjatë tremujorit të tretë të vitit me 53 azilkërkues në ditë, paçka se është një vend i sigurtë origjine. Paçka se shifra mbetet e lartë, ka progres në krahasim me vitet e kaluara, dhe këtë e vë në dukje edhe

Komisioni Europian. Komisioneri për migrimin, Avramopulous, këtë javë raportoi për ecurinë e vendeve të Ballkanit Perëndsimor në drejtim të kritereve të liberalizimit të vizave.

Për Shqipërinë Avramopulous nënvizon: “Shqipëria ka marrë masa efektive për të adresuar emigrimin e paligjshëm, që ka çuar në një rënie me 32% të aplikimeve për azil në gjysmën e parë të këtij viti. Kjo punë duhet të vazhdojë dhe të përmirësohet”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat