Bushati: Amendamentet e opozitës, atentat ndaj Drejtësisë

Shqipëria

Bushati: Amendamentet e opozitës, atentat ndaj Drejtësisë

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 16:17
Ervin Bushati

“Amendamentet e opozitës për veting në politikë janë një atentat që i bëhet drejtësisë dhe demokracisë, pasi ne nuk jemi zgjedhur për të qenë gjyqtarë”, tha sot deputeti i Partisë Socialiste, Ervin Bushati.

Nga foltorja e Kuvendit, Bushati tha se “pas 6 muajsh bojkoti opozita zgjodhi të kthehet në Kuvend me një hyrje dramatike që bëri me një akt të dënueshëm me vezë”. Megjithatë, tha Bushati, “sot po dialogojmë dhe këtë presin qytetarët nga ne, që të shikojnë pika bashkimi dhe jo pika ndarje e përplasje”.

Amendamentet e PD-së për ndryshime kushtetuese për vetingun e politikanëve, sipas Bushatit, janë thjesht një kauzë që zgjodhi opozita për t’u rikthyer në Kuvend.

“Ne e kemi dhënë përgjigjen në 2016 kur u bënë ndryshimet kushtetuese dhe patëm mbështetjen e aleatëve strategjikë. Sot ky variant që sillni nuk ka mbështetjen e askujt. Kjo është thjesht një provë apo tentativë e dyfishtë për t’u kthyer në mënyrë dinjitoze në Kuvend dhe për të treguar se keni iniciativë politike”, tha Bushati.

Ai kujtoi se “sot, Komisioni i Venecias, BE dhe Ambasada e SHBA-së përshëndesin në një zë reformën në drejtësi”. “Në fund partnerët ndërkombëtarë mund të shohin frytet e një reforme që do të prodhojnë organe të pavarura që do të bëjnë drejtësi të pavarur nga klasa politike”, tha Bushati.

Ai akuzoi opozitën se kërkon të vendosë një gur tjetër në rrugën e drejtësisë, ashtu sikurse ka bërë me mosvotimin e shumë ligjeve të rëndësishme.

Bushati theksoi se “sot nuk ka asnjë faktor ndërkombëtar që mbështet këto ndryshime”. “Ndryshime të tilla kushtetuese nuk mund të bëhet sa herë opozitës i duhet një kauzë apo arsye për t’u rikthyer në Kuvend”, tha Bushati, duke theksuar se “opozita nuk erdhi në sallën e Kuvendit kur u votuan dy ligje të rëndësishme për shqiptarët siç janë ndalimi i bixhozit dhe buxheti 2019”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat