Gjonaj: Vetingu në politikë nga një sistem drejtësie i pastruar

Shqipëria

Gjonaj: Vetingu në politikë nga një sistem drejtësie i pastruar

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 17:18
Etilda Gjonaj

Ministrja e Drejtësisë, Etilda Gjonaj, theksoi sot se “me një sistem drejtësie të pastruar me ngritjen e SPAK dhe të Byrosë Kombëtare të Hetimit, instrumente tashmë të sanksionuara, do të mund të bëhet Vetingu në politikë. Janë pikërisht këto dy instrumente, të cilat mund të bëjnë pastrimin e politikës”.

Në fjalën e saj në Kuvend ku po diskutohet mbi amendamentet e Partisë Demokratike për disa ndryshime në Kushtetutë për vetingun e politikanëve, ministrja Gjonaj theksoi se “vetingu në sistemin e drejtësisë do të thotë rritje e rolit të pushtetit gjyqësor mbi dy pushtete atë ekzekutiv dhe atë legjislativ. Insitucionet e reja që janë ngritur dhe ato që do të ngrihen në vazhdim do të adresojnë atë që qytetarët shqiptarë e kanë kërkuar me forcë dhe që është pandëshkueshmëria”.

Sipas saj, është një gjë e gabuar përdorimi i Vetingut si një qëllim politik në funksion të kalkulimit të interesave elektorale.

“Qytetarët janë aq të mençur sa ta kuptojnë se cili veting është thjesht për të gjetur një kauzë dhe për t’u kapur fort pas saj dhe cili veting është ai që i shërben mirëqeverisjes dhe drejtësisë. Nëse më shumë se 90% e shqiptarëve e mbështesin vetingun në sistemin e drejtësisë ky është vetingu që duhet. Komisioni i Venecias në opinionin e saj është shprehur kundër propozimit të PD-së, për shkak se është antikushtetues, nuk jep garanci të nevojshme për realizimin e një procesi të tillë”, – nënvizoi Gjonaj.

Ministrja Gjonaj u shpreh se “Komisioni i Venecias e ka shprehur qartë mungesën e qartësisë dhe sigurisë ligjore në lidhje me qëllimin, proporcionalitetin dhe mungesën e mekanizmave për zbatimin e saj”.

Komisioni i Venecias, vijoi ai, e ka konsideruar propozimin që bie ndesh me Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut, me Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, pasi nuk respekton parimet e procesit të rregullt ligjor.

Po ashtu, tha Gjonaj, Komisioni i Venecias shpreh shqetësim se ky propozim do të çojë në përdorimin e vetingut në një arbitraritet total ose në goditje politike, mund që lehtësisht të çojë në abuzim me pushtetin dhe e thënë shqip në një gjueti shtrigash.

“Venecia pasi ka analizuar të gjithë kuadrin kushtues ligjor dhe institucional si dhe të gjithë mekanizmat e tjerë demokratikë në dispozicion shprehet se ky propozim nuk ka asnjë vlerë të shtuar për të bërë vetingun e politikanëve me kuadrin ligjor dhe mekanizmat që kemi në fuqi. Përse Venecia i ka thënë jo vetingut në politikë, i ka thënë jo propozimit të PD-së është po i njëjti institucion që i tha një Po të madhe vetingut në drejtësi, vetingut të gjyqtarëve dhe prokurorëve , i thanë një Po të madhe ndryshimeve kushtetuese të sistemit të drejtësisë dhe tha Po për një pushtet të patundshëm ashtu siç është pushteti i gjyqtarëve dhe prokurorëve, të cilët kanë gjithashtu një mandat të përhershëm”, – theksoi Gjonaj.

“Vetingu në sistemin e drejtësisë ndryshon tërësisht nga vetingu në politikë”, tha Gjonaj. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat