Gjuha e papërshtatshme në Kuvend, Hysi tregon vendimet e Byrosë

Shqipëria

Gjuha e papërshtatshme në Kuvend, Hysi tregon vendimet e Byrosë

Më: 21 dhjetor 2018 Në ora: 20:25
Kuvendi i Shqipërisë

Byroja e Kuvendit e mbledhur mbrëmjen e sotme vendosi t’i tërheqë vëmendjen kryetarit të Partisë Demokratike, Lulzim Basha dhe deputetit të PD-së, Sali Berisha, për shkak të gjuhës së përdorur në seancën e sotme të Kuvendit, ndërsa kërkesa e PD-së për masë ndaj Kryeministrit Edi Rama është rrëzuar.

Zëvendëskryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Vasilika Hysi, pas mbledhjes së Byrosë tha se “Byroja ka vendosur t’i tërheqë vëmendjen Bashës dhe kërkuam që sesioni i ri parlamentar të fillojë me një gjuhë parlamentare në respekt të Kushtetutës, të rregullores së Kuvendit, të kodit të sjelljes dhe të jetë frymëzuese, jo me shprehje të tilla”.

“Gjithashtu pati një kërkesë lidhur me masën disiplinore të propozuar për deputetin e PD-së Sali Berisha. Edhe për Berishën u diskutua dhe u vendos që Byroja të japë masën e tërheqjes së vëmendjes. Në këtë rast kemi pasur parasysh edhe moshën e zotit Berisha. Por, kërkojmë si Byro që në sesionin e ri parlamentar t’i japë fund gjuhës së urrejtjes, së diskriminimit, stereotipit dhe aq më tepër gjuhës së përçarjes së shqiptarëve kundër shqiptarëve. Pra këngë të tilla patriotike që janë përdoruar nga shqiptarët për pushtuesit, të mos përdoren për një grup të shqiptarëve ndaj shqiptarëve”, – theksoi Hysi.

Zv/kryetarja e Kuvendit, Hysi tha se “e fundit fare ka qenë edhe kërkesa e deputetëve të opozitës për deputetin Rama. Nga zbardhja e procesverbaleve rezultoi që nuk përmbante gjuhë të urrejtjes, shkelje të etikës parlamentare dhe në këtë kuadër kërkesa u rrëzua”.

Për sa i përket deputetëve Gent Strazimiri dhe Flamur Noka, Hysi u shpreh se “Byroja vendosi përjashtimin nga seanca plenare dhe punimet e komisioneve për 10 ditë. Nga ana e Nokës dhe Strazimirit ka pasur edhe veprime, hedhje në drejtim të foltores dhe të Kryeministrit të fletëve dhe sendeve të tjera”.

Hysi u shpreh se “anëtarët e opozitës nuk erdhën, ne u njohëm, morëm materialet në kohë. Një nga kolegët e opozitës nuk ishte mirë nga ana shëndetësore, ndërsa të tjerët nuk u përgjigjën fare”. /ATSH

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat