Lleshaj porosi krerëve të bashkive për zgjedhjet e 2019-tës

Shqipëria

Lleshaj porosi krerëve të bashkive për zgjedhjet e 2019-tës

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 20:50
Sandër Lleshaj

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshaj, zhvilloi dje një mbledhje me prefektët, kryetarët e bashkive dhe drejtuesit e lartë të Policisë së Shtetit, duke lënë disa porosi konkrete për fushatën e zgjedhjeve lokale 2019.

Në fokus të takimit ishin çështjet që lidhen me përgatitjet e Ministrisë së Brendshme dhe Njësive Vendore, për procesin e zgjedhjeve lokale të qershorit të vitit që vjen. Ministri pati një bashkëbisedim me drejtuesit vendorë, duke ndarë opinione për çështje e shqetësime që lidhen me përmirësimin e shërbimit ndaj qytetarëve.

Lleshaj, që në krye të herës, e konsideroi procesin e ardhshëm të zgjedhjeve lokale, me rëndësi të dyfishtë për mirëqeverisjen nga njëra anë dhe për të dhënë një dëshmi të fortë të pjekurisë, që duhet të tregojë vendi për të qenë gati për hapjen e negociatave me BE-në. Ndër detyrat e lëna nga ministri i Brendshëm për njësitë vendore, veçohen: afishimi në vende të dukshme i listave zgjedhore; zgjedhja në kohë e ambienteve për qendra votimi, për të shmangur në maksimum ambientet private; përditësimi i Adresarit; shtimi i zyrave të Gjendjes Civile përgjatë 2019, vit kur duhen rinovuar rreth 1.4 milionë karta, identiteti i të cilave u skadon vlefshmëria. Ministri u kërkoi kryetarëve të bashkive të tregojnë kujdes të shtuar për të shmangur lëvizjet dhe regjistrimet fiktive të shtetasve para periudhës elektorale, duke theksuar se do të ketë kontrolle dhe do të merren masa për shkeljet. Në funksion të nismës së “Policimit në Komunitet”, në bashkëpunim me Policinë e Shtetit, njësitë vendore do të krijojnë zyra për Zonat Policore, duke ofruar shërbimet më pranë qytetarëve.

TAKIMI PER ADRESAT

Sandër Lleshaj, disa ditë më parë, zhvilloi një tjetër takim me përgjegjësit e Gjendjes Civile dhe strukturat e Policisë, për adresarin e shtetasve. Në këtë takim, ku u kërkua përcaktimi i saktë i adresave, ishin të pranishëm prefektët, drejtori i Përgjithshëm i Policisë, drejtuesit Vendorë të Policisë, si dhe përgjegjësit e Gjendjes Civile. Sipas Ministrisë së Brendshme, aty është diskutuar në lidhje me ecurinë e punës për 

Regjistrin Kombëtar të Gjendjes Civile.
Ministri është ndalur në problematikën e mungesës së përcaktimit të saktë të adresave për shtetasit shqiptarë apo përdorimin e kodeve 999, 888 e 000. Lleshaj ka kërkuar marrjen e masave të menjëhershme për koordinimin e punës nga të gjitha hallkat përgjegjëse, nën vëmendjen e prefektëve të qarqeve dhe strukturave vendore të Policisë, në mënyrë që të përshpejtohet puna në të gjithë vendin për identifikimin dhe plotësimin e plotë të Adresarit Kombëtar të Gjendjes Civile.

Disa ditë më parë, Drejtoria e Përgjithshme e Gjendjes Civile u ka kërkuar të gjitha Zyrave të Gjendjes Civile të gjenerojnë ekstraktin elektronik të përbërësve zgjedhorë, në përbërje të të cilit janë të gjithë shtetasit me të drejtë vote, të cilët mbushin moshën 18 vjeç deri më datën 30 qershor 2019. Brenda datës 4 dhjetor 2018, zyrat e Gjendjes Civile në bashki apo njësi administrative kishin detyrimin ligjor të printonin ekstraktin e parë të përbërësve zgjedhore të të gjithë zgjedhësve sipas vendbanimit dhe qendrave të votimit, nën juridiksionin e tyre territorial.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat