Aeroporti i Kukësit me koncesion, Ministria jep detajet për ofertën e paraqitur

Shqipëria

Aeroporti i Kukësit me koncesion, Ministria jep detajet për ofertën e paraqitur

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 15:10

Në tenderin për dhënien me koncesion të aeroportit në Kukës është paraqitur vetëm një ofertë. Ministria e infrastrukturës njoftoi se dy shoqëri shqiptare, “Bami SHPK” dhe “Global Technical Mechanics” kanë ofruar të investojnë rreth 8 milionë euro për vënien në funksionim të aeroportit.

Sipas marrëveshjes në konsorcium, pjesën më të madhe të aksioneve 70 për qind do ta ketë “Global Technical Mechanics”, ndërsa “Bami SH.P.K” do të zotërojë 30 për qind të koncesionit.

“Bami SH.P.K” është një kompani ndërtimi e themeluar në vitin 1998 dhe zotërohet nga Besnik bami. Ndërsa “Global Technical Mechanics” është krijuar në mars të vitit të kaluar nga Ridgers Mema, ish zv-drejtor i “Autostar Albania” dhe grupit “Kastrati”.

Të dy kompanitë, nuk kanë eksperiencë në menaxhimin e aeroporteve. Por sipas ministrisë në ofertën e paraqitur, bashkimi i dy shoqërive shqiptare ka dorëzuar edhe një marrëveshje me kompaninë hollandeze NACO, e cila ka një eksperiencë të gjerë ndërkombëtare në menaxhimin e aeroporteve.

Sipas Ministrisë së infrastrukturës, komisioni i vlerësimit të ofertave është duke shqyrtuar në hollësi ofertën dhe brenda pak ditësh do të zyrtarizojë vendimin nëse oferta do të shpallet fituese ose jo.

Aeroporti i Kukësit është përfunduar në vitin 2006 por nuk është vënë asnjëherë në përdorim. Qeveria ka deklaruar se dhënia me koncesion do të mundësojë që përmes këtij aeroporti të fluturojnë mbi 300 mijë udhëtarë në vit me çmime low cost.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat