Kryemadhi: Tradhti kombëtare, nëse “u japim oksigjen” Ramës dhe bandës së tij

Shqipëria

Kryemadhi: Tradhti kombëtare, nëse “u japim oksigjen” Ramës dhe bandës së tij

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 15:31
Foto

Rrëzimi i Vettingut të politikanëve nga ana e mazhorancës i ka krijuar bindjen Monika Kryemadhit se njerëzit e saj janë të pastër.

Nga Elbasani, i cili i ka dhënë mandatin e deputetes, kryetarja e LSI-së nuk nguroi të kritikojë ashpër ish eksponentë të partisë, të rreshtuar në radhët e Partisë Socialiste.

“Vota e opozitës dje, që të bëhet Vettingu në politikë, më hoqi çdo dyshim dhe çdo fije dyshimi që ata njerëz të LSI, të cilët kanë qenë përfaqësues të LSI në pushtet dhe janë sot me LSI-në, janë të ndershëm dhe të pastër dhe nuk janë gjë tjetër veçse dinjiteti ynë. Dhe për të gjithë ata, të cilët e kanë përdorur si trampolinë LSI-në dhe sot janë në tepsinë e Edi Ramës, kanë qenë turpi i LSI-së….”, u shpreh Kryemadhi.

Monika Kryemadhi nuk i uli tonet as kur u kërkoi ndjesë publike simpatizantëve të saj, për ndihmën që LSI i ka dhënë Edi Ramës për të marrë pushtetin.

“Kemi bërë edhe ne gabimet tona, dhe nga këto gabime kemi pasur mundësinë për të zgjuar dhe për të ndërgjegjësuar çdo shqiptar, që çdo njeri që i jep qoftë edhe një sekondë oksigjen Edi Ramës dhe bandës së tij, kryen tradhti kombëtare”, tha kryetarja e LSI.

Mbështetja ndaj studenteve dhe banorëve te Astirit do të vijojë. Porosia e kryetares  ishte thirrja derë me derë  për  protesta kundër Edi Ramës.

“Rama nuk ikën, Ramën do ta largojmë ne. Nuk do ta largojnë partitë politike, por do ta largojnë shqiptarët sepse shqiptarët janë ata, të cilët e ndjejnë dhimbjen më të madhe.  Edi Rama të plotësojë kërkesat e studentëve  Edi Rama duhet të bëjë: një , të arrestojë Afrim Qëndron dhe Damian Gjiknurin për vjedhjen e tmerrshme që kanë bërë në Unazën e Re”, shtoi më tej Kryemadhi.

Thirrja e fundit, e cila erdhi në formë kërcënimi ishte për kryeministrin.

“Edi Ramës i erdhi momenti, o sot o kurrë, prandaj o të shpëtojë veten dhe familjen e tij, ose shqiptarët do at ngrenë zgupthi, jo burrat, por do ta ngrenë gratë shqiptare sepse e kanë ndarë mendjen për të ndërtuar familjet e tyre në Shqipëri dhe për ti dhënë të ardhme Shqipërisë”, përmbylli ajo.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat