Ndryshime në qeveri, Rama pritet të mbledhë Kryesinë

Shqipëria

Ndryshime në qeveri, Rama pritet të mbledhë Kryesinë

Më: 22 dhjetor 2018 Në ora: 16:16
Edi Rama

Vendimi surprizues u është komunikuar përfaqësuesve të maxhorancës, pas vendimmarrjes nga Kryeministri Rama. 

Burime nga Partia Socialiste bëjnë me dije se më 24 dhjetor, kreu i PS-së njëherësh edhe Kryeministri i vendit, Edi Rama, do të mbledhë kryesinë e Partisë Socialiste.

Në Kryesi do të përcaktohet edhe axhenda e Asamblesë së PS që pritet të mbajë më 28 dhjetor. Të njëjtat burime nga PS sqarojnë se deputetëve socialistë u është komunikuar që në këto dy mbledhje do të diskutohet bilanci politik dhe qeverisës i Partisë Socialiste në këtë vit që po mbyllet.

NDRYSHIMET

Kryeministri Edi Rama deklaroi nga salla e Parlamentit një javë më parë, se protestat e studentëve i kanë dhënë një shuplakë të fortë qeverisjes. Gjithashtu, edhe më herët, kreu i qeverisë ka deklaruar se është i pakënaqur me shumë aspekte të qeverisjes, rezerva të cilat nuk i ka shprehur publikisht. Mendohet që Asambleja e datës 28 dhjetor mund të prodhojë edhe surpriza sa u takon ndryshimeve në qeveri.
Ndryshime në kabinetin qeverisës ishin paralajmëruar edhe në verë kur Kryeministri Rama, kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi, dhe kryetari i Grupit Parlamentar të PS-së, Taulant Balla, zhvilluan një mbledhje në Vlorë. Gjatë atij takimi, për çdo ministër u dorëzua një raport i detajuar për përmbushjen e objektivave në qeverisje.
Ishte kreu i Grupit të PS-së, Balla, që deklaroi se nga analizat e zhvilluara rezultoi se qeveria i ka përmbushur angazhimet dhe prioritetet e saj kryesore. Besim ministrave në Asamblenë e zhvilluar pak ditë më vonë iu dha edhe Kryeministri Rama.
Por protestat e zhvilluara ditët e fundit duket se kanë qenë indicia kryesore që kreu i qeverisë të thërrasë jashtë rendit të saj Asamblenë e PS-së. Viti 2019 do të jetë një vit elektoral, ndaj edhe kjo mbledhje pritet të shërbejë edhe si një ndezjeje e motorëve për fushatën elektorale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat