Përndiqej prej 3 vitesh nga ish e dashura e burrit, shqiptarja merr vendimin drastik

Shqipëria

Përndiqej prej 3 vitesh nga ish e dashura e burrit, shqiptarja merr vendimin drastik

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 19:08
Foto ilustrim

Një nënë e martuar, 32- vjeçare, ka kaluar momente të tmerrshme teksa përndiqej prej kohësh nga një grua 42- vjeçare, e cila kishte pasur një raport jashtëmartesor me bashkëshortin e saj.

Kjo e fundit e telefononte dhe i dërgonte mesazhe për rreth 3 vjet, derisa 32-vjeçarja vendosi ta kallëzojë në Prokurori shtetasen H.A. për “Përdorim me keqdashje të thirrjeve telefonike”.

Kallëzimi penal është kryer më 20 prill 2018, ndërsa vendimi për 42-vjeçaren nga Gjykata e Tiranës është marrë së fundmi. Në kallëzimin e saj, viktima, ndër të tjera, shpjegonte para prokurorëve se kishte rreth 3 vjet që përndiqej me sms me përmbajtje dhune dhe ofenduese nga shtetasja H.A. “Ka rreth 3 vjet që shtetasja H.A. më shqetëson, duke më dërguar sms me përmbajtje dhune dhe ofenduese.

Këtë shtetase e kam njohur tre vite më parë, pasi unë kam pasur dyshime se bashkëshorti më ka tradhtuar me këtë shtetase. Kjo shtetase me përndjek duke me shkruar pafundësisht sms ofenduese, denigruese dhe kërcënuese. Për shkak të saj kam ndryshuar pesë numra telefoni dhe ajo sërish i gjen dhe më dërgon sms ofenduese. Me këtë problem kam disa kohë, por nuk kam dashur të denoncoj pasi shpeshherë nuk me linte bashkëshorti për të bërë kallëzim”, ka shpjeguar ajo para prokurorëve. Në kuadër të hetimit të çështjes penale, nga ana e Policisë Gjyqësore janë kërkuar dhe disponuar nga kompanitë celulare tabulatet telefonike të numrit të telefonit 06***** në përdorim të së pandehurës H.A., ku ka rezultuar, se ajo, brenda një periudhe shumë të shkurtër, ka pasur komunikime të vazhdueshme me numrat e telefonit në përdorim të viktimës.

I pyetur me cilësinë e deklaruesit, bashkëshorti i viktimës, ndër të tjera, ka deklaruar se kishte pasur lidhje jashtëmartesore me H.A. dhe se për këtë shkak ai dyshon se është ajo që ka shqetësuar bashkëshorten e tij. Ai më tej ka treguar se tashmë ka normalizuar marrëdhëniet me bashkëshorten dhe kërkon që të marrë fund kjo histori. E pyetur me cilësinë e deklarueses, shtetasja H.A., ndër të tjera, ka pretenduar se viktimën nuk e njeh personalisht. “Unë njoh bashkëshortin e saj, me të cilin kam pasur një histori dashurie. Aktualisht jam ndarë pasi mora dijeni se ky shtetas ishte i martuar.

Viktimën tani e njoh si bashkëshorten e ish-të dashurit tim, por asnjëherë nuk i kam dërguar sms dhe nuk e kam përndjekur. E kam telefonuar një here, me sa kujtoj, në lidhje me burrin e saj duke i thënë që: ‘Nuk e ke në terezi burrin. Nuk e di se kush i dërgon këto sms”, ka thënë ajo. Pas analizimit të telefonit të së pandehurës, Gjykata ka dalë në përfundimin se e pandehura e ka konsumuar veprën penale të “Përdorimit me keqdashje të thirrjeve telefonike”, duke e dënuar atë kështu me gjobë prej 60 mijë lekësh.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat