Shqiptari kandidon për deputet, ekstremistët grekë shpërthejnë në akuza

Shqipëria

Shqiptari kandidon për deputet, ekstremistët grekë shpërthejnë në akuza

Më: 23 dhjetor 2018 Në ora: 22:12
Fatos Malaj

Një emigrant shqiptar në Greqi ka shumë shanse të zgjidhet deputet në parlamentin grek.

Fatos Malaj, ndërmjetës ndërkulturor në qendrën e shërbimit të emigrantëve në Athinë, do të kandidojë me partinë “Lëvizja për Ndryshim”, që është një koalicion partish të qendrës së majtë.

Kandidatura e tij u shpall zyrtarisht, bashkë me emrat e tjerë që do të konkurrojnë për një vend në parlamentin 300 vendesh të Greqisë.

“Ishte ëndrra dhe dëshira ime prej shumë vitesh dhe dëshira e forcës progresive “Lëvizja për Ndryshim” ish-PASOK-u. Besoj se do të jem zëri i bashkatdhetarëve dhe të gjithë emigrantëve në parlamentin grek.”

Shpallja e kandidaturës së Malajt ka shkaktuar reagime të fuqishme nga ana e qarqeve të ekstremit të djathtë, që përgjithësisht e konsiderojnë si “pa precedent” dhe “krim kombëtar” faktin që një emigrant shqiptar të ulet në karriget  e parlamentit vendas.

“Kam besim se do të mbështetem edhe nga qytetarët grekë, të cilët mbështesin edhe alternativën tonë në këto zgjedhje.”

Normalisht, zgjedhjet e radhës në Greqi duhet të zhvillohen shtatorin e ardhshëm. Por zhvillimet politike janë të tilla që bëjnë shumë të mundshme mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme në fillim të vitit 2019.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat