I dënuar në Itali për prostitucion, kush është komisari i shkarkuar nga detyra

Shqipëria

I dënuar në Itali për prostitucion, kush është komisari i shkarkuar nga detyra

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 10:20
Besnik Kaptelli,

I dënuar në Itali për prostitucion dhe dyshime për ryshfet, shkarkohet kreu i Policisë në Burgun e Peqinit. Kryekomisari Besnik Kaptelli, i cili mbante postin e shefit të Policisë së Burgut të Peqinit, mësohet se është shkarkuar nga detyra disa ditë më parë.

Dyshohet se Kaptelli ka qenë i dënuar nga shteti italian për shfrytëzim prostitucioni. Nga verifikimet e deritanishme rezulton se 47- vjeçari Kaptelli është dënuar me 5 vite burg nga një gjykatë në Torino, si tutor i shfrytëzimit të prostitucionit, vend ku ka jetuar për disa vite si emigrant.

Përveç këtij fakti, Kaptelli dyshohet se pak kohë më parë i ka dhënë leje në këmbim të një ryshfeti një të dënuari me probleme në Burgun e Sigurisë së Lartë të Peqinit. Nga ana tjetër, të burgosur të tjerë kanë bërë denoncime për komisarin, duke e akuzuar për ryshfet. Në vendimin për shkarkimin nga pozicioni që mbante të Besnik Kaptellit, cilësohet si i papërshtatshëm për detyrën.

Kaptelli është lakuar për postin e tij edhe një vit më parë pikërisht në muajin maj të vitit 2017, kur kishte postin e shefit të Policisë së Burgut të Kosovës. Mjeti i tij u shkrumbua tërësisht nga flakët në lagjen “Skënder Libohova” të Lushnjës. Asokohe u dyshua se mjeti i tij u dogj për shkak të detyrës. Kaptelli ka mbajtur poste të larta, kryesisht në burgje. Më parë ai ka mbajtur postin e drejtorit në Burgun e Peqinit.

Po ashtu, ai ka qenë një nga dëshmitarët në komisionin hetimor për pajisjen përgjuese “IMSI catcher”. Denoncimin për akuzën për korrupsion ndaj tij e ka bërë edhe ish-Kryeministri Sali Berisha.

Në vend të tij është emëruar kryekomisar Faik Basha, i cili ka mbajtur disa detyra të larta në Drejtorinë e Përgjithshme të Burgjeve dhe së fundmi mbante detyrën e specialistit të Policisë në Sektorin e Burgim/Paraburgimit.

Por, 47-vjeçari u rikthye sërish në Policinë e Shtetit, kur Ministrinë e Drejtësisë e mori Etilda Gjonaj, duke u caktuar shef i Policisë në Burgun e Peqinit, detyrë që e mbante deri pak ditë më parë.
Besnik Kaptelli ishte gjithashtu një prej të pyeturve nga Komisioni parlamentar Hetimor për hyrjen e pajisjes përgjuese “IMSI-catcher” në Burgun e Peqinit.

Ai mohoi të ketë pasur dijeni për pajisjen, duke shtuar se me urdhër të drejtorit të Përgjithshëm, Artur Zoto, ka pritur në zyrë në kohën që ka qenë drejtori i Burgut të Peqinit një oficer të Policisë, Entjol Xhelilin. Besnik Kaptelli u shpreh se oficeri i Policisë është futur me makinë sipas rregullores dhe protokollit të burgut, ndërsa e ka pritur për 15 minuta në zyrë ku ka diskutuar për çështje sensitive për bashkëpunimin mes institucioneve dhe më pas është larguar./

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat