Pse nuk kthehesh në krye të PD? I trembeni Ramës? Përgjigjet Sali Berisha

Shqipëria

Pse nuk kthehesh në krye të PD? I trembeni Ramës? Përgjigjet Sali Berisha

Më: 24 dhjetor 2018 Në ora: 22:07
Sali Berisha

Ish-kryeministri Sali Berisha mori pjesë në një intervistë të pazakontë sot, pasi është hera e parë që rrëfehet para moderatorit Adi Krasta.

Në emisionin “A-Show” në News24, deputeti i Partisë Demokratike iu përgjigj, ashtu siç thotë vetë Krasta, pyetjeve më të rëndësishme që dikush i ka bërë ndonjëherë.

“Pavarësisht gjithë viteve në Tiranë, dua të përdorni tani gjithë malësorin që ka mbetur tek ju,” i thotë drejtuesi i emisionit përpara një interviste të gjatë.
Reputacioni në PD, marrëveshja Rama-Basha dhe mendimet rreth kryeministrit aktual e Veliajt, janë disa nga çështjet për të cilat Sali Berisha flet hapur.

“BalkanWeb” zbardh të plotë intervistën e ish-kryeministrit përballë Krastës.

Pjesë nga intervista:

Krasta: Kjo është intervista e parë me ju..

Berisha: Dhe jo e fundit dhe ëshë në një ditë të veçantë

Krasta: Ju doni një intervistë të fortë apo një intevistë të butë?

Berisha: Zgjidhni vetë

Krasta: Keni jetuar gjithë jetën tuaj si i rritur në Tiranë. Keni qënë mjek, keni qënë president i Republikës, keni qenë kryeministër, keni qënë në rrethe elegante. Dua të përdorni tani gjithë malësorin që ka mbetur tek ju për pyetjet më të rëndësishme që dikush do t’ju bënte ndonjë herë. Zoti Berisha në analizën tuaj sot, keni pasur ju personalisht prirje autoritariste?

Berisha: Në prioncip Jo. Njeriu ka koshiencën dhe subkoshiencën dhe askush nuk mund të mohojë ndërveprimin e tye, ekuilibrat dhe zhvendosjen e tyre. Por në princip kam patur absolutisht vetëm lirinë dhe të drejtat themelore të njeriut. Ky ka qënë parimi im. Kur kam bërë shkrimet e para ka qënë diktaturë, kundër çensurës, kundër terit informativ. Sigurisht ishte diktaturë në grahmat e fundit por vriste ç’është e vërteta sepse në kufi vriteshin çdo javë të rinj. E gjithë beteja ime ishte për të qënë ai që nuk kisha mundur të isha për të shprehur mendimet e mia.  Së këtejmi, absolutisht në thelb nuk kam patur pasion tjetër e përkushtim më të madh se liritë dhe të drejtat e njeriut. Por unë nuk mund të them, se sado princip udhëheqës, nuk ka patur edhe luhatjtet e veta.

Krasta: Ju jeni një personalitet imponent. Unë kam konstatuar në harkun e 30 vjetëve të karierës time në gazetari se njerëzit me të cilët keni bashkëpunuar kishin jo vetëm respekt për ju por dhe frikë. Kam një pyetje, për cilin element të sjelljes tuaj kishin ata frikë?

Berisha: Për njerëzit që kanë punuar me mua janë të shumtë dhe gjej rastin të përulem me nderim para tyre sot, kanë patur një vështirësi tek unë dhe ka qënë pasioni me të cilin unë trajtoja ose ndiqja çështjen. Nëse unë shpallja një përparësi vetëkuptohet se unë isha i tëri këmbë e kokë pas saj. Kjo bënte që të tjerët të ishin më gjakftohtë por përsëri secili prej tyre ka pasur mundësi të tregojë kontributin e vet e të ndjehet bashkëpunëtor në atë projekt apo projekte që kemi zbatuar. Me këshilltarët e mi të afërt iu kam kërkuar që të më thonë mendimet siç i kanë dhe jo siç i dua unë. Ia kam përsëritur shumë herë që mendimet siç i dua unë i kam në kokën time, unë kam nevojë për mendime ndryshe nga ato të mijat. Unë besoj se janë shprehur lirshëm e pa rezerva qëndrimet dhe mendimet e  tyre.

Krasta: Ju keni shprehur mendimin tuaj aktualisht për çdo gjë të rëndësishme në vend. Pasioni me të cilin keni marrë tani komunikimin në median online është njësoj si pasioni me të cilin keni marrë gjithë çështjet gjithë jetën tuaj. Do me thënë tërheq kolegët kundërshtarët me një lloj marrëdhënie relativisht të detyrueshme. Pyetja ime është pse doktor Saliu, ju nuk keni folur asnjëherë për Ulajn kohët e  fundit, për kompaninë dhe për marrëdhënien e falsifikimit dhe situatën shumë problematike të kompanisë së tij.

Berisha: E para nuk besoj të mos kem folur. E dyta është një ngjarje tepër e shëmtuar dhe di që ka një hetim në Shqipëri dhe në SHBA. Uroj dhe besoj që përgjegjësit e atij mashtrimi të vihen para ligjit. Ndonëse kam bindjen se përgjegjësi kryesor është Edi Rama me Damian Gjiknurin. Zoti Krasta Shqipëria është sot i vetmi vend në botë që ndërton autostrata me 20 milion euro kilometrin, para pak javësh unë kisha një deputet gjerman nga më të shquarit në Bundestag dhe më tha 2 milion a 2 milion e gjysmë  euro kilometri është fare e njohur,  dhe këtu është bërë një piramidë   e tmerrshme me ndërtimin e tyre. Në këtë kontekst cilido që të jetë përgjegjës uroj të marrë përgjigjen e merituar. A unë kam një gjë tjetër këtu, një dallim nga të tjerët. Unë ndaj këtyre të pasurve, të cilët sot ndodhen përballë një rrymë kundër tyre, unë nuk qëndroj në atë rrymë. Unë nuk qëndroj në atë rrymë sepse unë kam një besim më të thellë se ata janë gjeneratorët e punësimit dhe zhvillimit të vendit. Njëlloj sikur ata që kanë dhunti poezinë apo të tjerë që kanë dhunti prozën e të tjerë kanë dhunti inxhinierinë, ata kanë dhunti biznesin, kanë dhunti iniciativën e lirë. Ajo dhunti e tyre vërtet i prosperon ata por edhe shoqërinë. Por unë jam për rregulla të barabarta, për konkurrencë të ndershme për zbatim të ligjit. Në këtë kontekst në se ata qëndrojnë në këtë kuadër, mendoj se përjashtohen të gjitha të tjerët dhe është rruga më e sigurt dhe Edi Rama nuk po e bën. Merr gjashtë vitet e fundit, asnjë kompani ndërkombëtare nuk ka zbarkuar në Shqipëri, asnjë kompani serioze ndërkombëtare nuk ka ardhur në Tiranë për të investuar sepse nuk ka rregulla.

Krasta: Një perceptim pothuajse popullor që thotë “Berisha ndryshe nga Rama, nuk ndenji me kriminelët, i përdori ata por nuk u ul në një tavolinë…?

Berisha: Kurrë, kurrë në jetën time nuk kam përdorur dhe nuk do të përdorja kurrë kriminelë. Në kohën kur kam qenë shef i ekzekutivit, njëri pas tjetrit cilido që ka qenë ka shkuar pas hekurave në burg. Nuk ka njeri që mund të japë një shembull të vetëm apo një insinuatë të vetme. Tjetër problem në se policia i arrestonte dhe gjykata i lironte dhe kjo ka ndodhur për shkak të një fenomeni më të gjerë.  Në mënyrë absolute nuk ka një njeri që mund të thotë qoftë edhe për vetëm një kriminel që është përdorur nga Sali Berisha. Kurrë. Dua të sqaroj dy gjëra: Kurrë s’më kanë impresionuar me kërcënimet e tyre, kurrë s’më kanë tërhequr me ofertat e tyre. Kam qenë i prerë te të dyja. Ajo ka qenë një nga shkaqet që unë kam luftuar me sukses kriminalitetin. Se një herë po i përdore, të përdor 5 herë ai tjetri.

Krasta: Sot jemi në një situatë, ku situata politike në Shqipëri do duhej të ishte zgjidhur në fakt. Kanë ndodhur ngjarje më përpara kur ju keni qenë në opozitë, keni bërë një opozitë jashtëzakonisht të ashpër, që në një kuptim e traumatizonte opinionin publik. Mund të themi që kjo situatë aktuale është e pazgjidhshme për shkak të marrëveshjes që bënë Rama e Basha pas atyre ditëve të rëndësishme të opozitës në Bulevard? Është ajo një marrëveshje e koklavitur problematike e cila vazhdon të gjenerojë elemente, dhe ka një pyetje të madhe që bëhet sot: Nuk ka mundësi që ju mos ta dinit që do bëhej ajo marrëveshje, e që do merreshin ato masa? Ju e keni ditur?

Berisha: Në mënyrë absolute unë e kam marrë vesh vetëm mbasi ka mbaruar mbledhja e partive, dhe Rama i kërkoi Bashës takim kokë më kokë. Jam i sigurt që edhe Basha s’e ka ditur para se të ulej me Ramën. Rama shkoi kur shkuan të gjitha, e mbeti të vetëm dhe zgjodhi një rrugë që tani e dimë të gjithë.  Nëse do isha pyetur, a mund të takohen, do thoja: mund të takohen. Ishte një moment që ose PD të braktiste zgjedhjet, ose me presionin e çadrës, PD duhet të arrinte kërkesat e saj. Kishim dhe një fakt, qeveria e SHBA dërgoi një përfaqësues të saj dhe ai modifikoi paketën e mëparshme. Që PD të kundërshtonte të gjithë botën, po të isha kryetar nuk do e bëja. Se cilat ishin pasojat këto janë të qarta. Por ka një gjë, mendohet se ajo është veprim jo në dijeninë time, por ngjarjet për fat të mirë e të keq kanë jehonën më të fuqishme se ngjarja. Në terma konkrete në dijeninë time nuk ekzsiston asgjë.

Krasta: Ju bëni një jetë parlamentare dhe multimediale, do të isha gabim po të thoja që PD ka qenë një parti e individit Sali Berisha.

Berisha: Nëse lexoni për Kombin shqiptar, ata që kanë studiuar kombin shqiptar, e gjejnë se ky është komb i personaliteteve, në tëresi historia e pashkruar është histori fisesh. Fiset ilire, post-ilire, e kohëve moderne. Por i pari ishte kryesori, pastaj pushtimi osman, ishte Sulltani. Për fat të keq kjo ekziston, nuk është vetëm një parti, po në tërësi si komb e ka përshkruar bukur Eqerem Çabej: Ne jemi komb personaliteti. Nuk mund të them që personaliteti i partisë nuk ka rëndësi.

Krasta: PD është sot një parti që ka fizionominë e saj, përpara kemi zgjedhje. Ka një perceptim që qëndron: Unë për vete si votues i paangazhuar, nuk jam dakort me të, por pse ka një perceptim sipas të cilit: ky është shumë i keq, po nuk dihet kush do na vijë?

Berisha: Të krahasosh Ramën me Bashën është të krahasosh të pakrahasueshmet. Njëri përfaqëson një frymë të re të një gjenerate të re, tjetri përfaqëson një njeri problemtaik me psiqikën e tij, një njeri i cili në historinë e këtij vendi, në atë karrige që Adil Çarçani ka pasur 10 herë më shumë njohuri qeverisëse se zhgarravitësi Edvin Rama.

Krasta: Mbërritët në tonalitetet luftarake të dikurshme. Le ta zbusim.

Berisha: Për ta zbutur ta zbus unë, se ky vrau pikturën. Keni parë të hapet ndonjë ekspozitë pikture këto vite në Tiranë? U zhdukën ekspozitat, ishte Onufri.

Krasta: Në mjekësi thanë, çfarë ka Berisha me mjekësinë që nuk e ndreqi kurrë. E la të ngordhte dhe nuk bëri atë që pritej

Berisha: E vërteta është se janë bërë investime në shëndetësi ato vite, absolutisht kam patur ndjeshmëri por janë bërë investime me aparaturat më moderne që shkon e mburret sot ky me këto. U krijua një ekip për të kompletuar reformën dhe po shkonim drejt finalizimit të cilën Rama e braktisi se premtoi shëndetësinë falas dhe solli shpartallim sot. Pra, kurrë nuk mund t’i ktheja shpinën atij sistemi duke ditur rëndësinë. A mund të menaxhohej më mirë? Po, por investime vetëm në aparatura janë mbi 100 mln euro në modernizim. Treguesit janë të qartë të organizatava ndërkombëtare. Sot gjithçka po shkon në rrokullisje.

Krasta: Pyetje e drejtor Andi Telës: Pse nuk kthehet z.Berisha ta drejtojë tani PD, ka frikë se nuk e mund dot Edi Ramën?
Berisha: Unë e kam deklaruar shumë herë. Largimi im është pa kthim. Napoleon Bonaparti ishte gjeni, por diktator, unë nuk jam Napoleoni demokrat. Besoj në parimet që shpall.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat