Shpenzimet e festës; Fatura në një familje pensionistësh

Shqipëria

Shpenzimet e festës; Fatura në një familje pensionistësh

Më: 26 dhjetor 2018 Në ora: 20:41
Pamje nga video

Pazari për darkën e fundvitit ka nisur. Prej disa ditësh çifti Cenko dalin herët në mëngjes për të blerë produktet që ju duhen për festa. Atmosfera në familjen Cenko ndihet që në hyrje të shtëpisë.

“Atmosfera gjithnjë për festa varet nga dorë e gruas… burri për festa të ulet në tavolinë ta gjej plot”, tha Fatmir Cenko, pensionist
Fatura e shpenzimeve po shtohet dita ditës për 74 vjeçaren.

“Një pjesë e pazarit u bë sot, vajtën 1700 lekë të reja. Bleva vezë, pulën, birra sheqer…”, shton Sheriban Cenko, pensioniste.

Pensioni i nënës Sheriban prej 17 mijë lekësh si arsimtare e ciklit të ulët, ka shkuar deri sot për darkën e fundvitit. Por edhe shumë gjëra të tjera kanë mbetur pa blerë. Për to mbetet pensioni i bashkëshortit, Fatmirit prej 21 mijë lekësh.

“Një çift pensionistësh deri më tani, i ka vajtur 17 mijë lekë. Po ushqime të ndryshme, pije me fruta perime, këto janë pak të shtrenjta se rrushi 400 lekë, por po pate merre thotë tjetri po spate mos e merr. Shtriji këmbët sa ke jorganin. Përveç bakllavasë e gjelit të detit që është tradicionale, bëjmë edhe mesnik me petë të pjekura”, tha Sheriban Cenko, pensioniste.

Ndërkohë që shpërblimin e fundvitit, pensionistët e kanë harxhuar për dhurata.

“5 mijë lekëshin e morën, u mora të 5 fëmijëve nga një gjë të vogël nga 1 mijë lekë”, shprehen ata.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat