Plagjiatura do të kushtojë shtrenjtë... qeveria vendos gjoba të kripura

Shqipëria

Plagjiatura do të kushtojë shtrenjtë... qeveria vendos gjoba të kripura

Më: 27 dhjetor 2018 Në ora: 16:33
Foto ilustrim

Plagjiatura, manipulimi i autorësisë ose denigrimi i rolit të kërkuesve të tjerë në botime do të gjobiten deri në 300 mijë lekë.

Ministria e Arsimit ka hartuar Kodin Etik, ndërsa janë përcaktuar në projektligj edhe sanksionet ndaj shkeljeve të integritetit në kërkimin shkencor. Ky projektligj u është dhënë për shqyrtim grupeve të interesit e më pas do kalojë për miratim.

Në nenin 31 janë parashikuar shkeljet më të rënda dhe kur ato nuk janë të përsëritura, dënohen me gjobë nga 1 000 000 në 3 000 000 lekë dhe me ndërprerjen e kontratës së punës. Sanksionet arrijnë deri në heqjen e gradës ose e titullit shkencor. Sipas Kodit, sanksionet do të vendosen edhe ndaj udhëheqësve shkencorë, oponentëve apo recensuesve, për punimet a botime që kanë udhëhequr apo vlerësuar. Masa për udhëheqësin është sa 50% e masës për autorin, masa për oponentët dhe recensuesit është sa 30% e masës për autorin.

Sipas Ministrisë së Arsimit, Kodi i Sjelljes synon të ruajë, të garantojë dhe të mbrojë pastërtinë dhe integritetin akademik, profesional, institucional, moral dhe shoqëror të institucioneve dhe të pjesëtarëve të komuniteteve akademike e shkencore. “Kodi niset nga premisa se kërkimi shkencor, sidomos dhënia e gradave shkencore dhe e titujve akademikë në Shqipëri ka nevojë për një proces ‘vetingu’ dhe Kodi garanton zhvillimin e tij”, thuhet në arsyetimin e MAS. Po sipas këtij arsyetimi, masivizimi i dhënies së gradave e titujve shkencore nuk është shoqëruar nga krijimi i “filtrave” ligjorë, institucionalë dhe moralë të garantimit të cilësisë së tyre. Për pasojë, vlerat shkencore dhe fuqia në treg e gradave shkencore dhe titujve akademikë, madje edhe e diplomave “Bachelor” dhe “Master” të dhëna në institucionet e arsimit të lartë në Shqipëri janë të dobëta. Kodi synon të vendosë rregulla të forta në këtë proces, në formën e normave ligjore të detyrueshme për zbatim nga të gjitha institucionet arsimore e kërkimore si edhe nga të gjithë titujve kërkuesit, oponentët dhe udhëheqësit e kërkimit shkencor dhe të mbrojtjes së gradave e shkencore. Miratimi i Kodit pritet të sjellë rritjen e cilësisë, integritetit si edhe të dobisë praktike të veprimtarisë kërkimore dhe të gradave e titujve shkencorë në Shqipëri, në mbështetje të zhvillimit të vendit dhe të shkencës shqiptare.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat