U vra në Elbasan, ja si u arrestua Alibej për 10 mln euro kokainë në Itali

Shqipëria

U vra në Elbasan, ja si u arrestua Alibej për 10 mln euro kokainë në Itali

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 07:35
Endrit Alibej

Endrit Alibej (Dylgjeri) ishte objektivi i një atentati me armë që përfundoi në masakër mbrëmjen e djeshme pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit në Elbasan, pasi ai së bashku me xhaxhian Arben Dylgjeri dhe shtetasin turk Erdal Durnay mbetën të vrarë Brenda “Range Rover-it” luksoz që u bë “shoshë” nga mbi 20 plumba kallashnikovi që u derdhën mbi të.

Ngjarja dyshohet se është një larje hesapesh e diktuar nga prishja e pazareve të drogës në Angli ose Hollandë dhe 34-vjeçari Alibej rezulton një person i skeduar më parë për veprimtari kriminale në fushën e trafikut të lëndëve narkotike.

Ai së bashku me vëllain Andrea (Erion) Alibej janë arrestuar më 4 qershor 2013 nga autoritetet italiane në kuadër të operacionit të koduar “Cocash”.

Asokohe, policia e Astit gjatë kontrollit të banesës së njërit prej vëllezërve Alibej mundi të gjente një bllok shënimesh  ku ishin shënuar emrat e adresat e të gjithë klientëve që furnizonin drogë, sasinë, kohën e dorëzimit e çmimin e saj.

Në kuadër të këtij operacioni u goditën në 2013 dy grupe shqiptarësh, me 3 anëtarë që vepronin në Francë dhe pjesën tjetër që vepronte në Itali dhe drejtohej nga vëllezërit Alibej.

Dyshja nga Elbasani administronte një trafik të konsiderueshëm droge të tipit kokainë në territorin e provincës së Astit dhe furnizoheshin me lëndë narkotike nga shqiptari Sajmir Serjani, banues në Torino, i identifikuar si anëtar i një grupi trafikantësh shqiptarë me bazë në Holandë e me depozita kokaine në Torino, Alessandrino e në provincën e Milanos.

Gjatë arrestimit vëllezërve Alibej u janë gjetur në dy banesat e tyre në Asti rreth 15 kg kokainë e fshehur, ndërsa në total gjatë operacionit me 15 të arrestuar u dokumentua si pjesë e trafikut 31 kg lëndë narkotike me vlerë mbi 10 milionë euro.

Në aktivitetin e tyre kriminal grupi i vëllezërve Alibej përdornin pseudonime si Tarzani, Tino, Ciçio, Bimbo, ndërsa në gjuhën e kriptuar kokaina identifikohej me fjalën “foto”.

Nuk dihet ende nëse goditja ndaj grupit në fjalë në 2013 mund të ketë çuar në vrasjen e Endrit Alibejt mbrëmjen e djeshme në Elbasan, por nga hetuesit dyshohet se ai ishte ende aktiv në trafikun e lëndëve narkotike dhe si bashkëpunëtor mund të ketë pasur turkun Erdal Durnay, të cilin mund ta ketë njohur në Hollandë.

Ndërkohë nga arkivat e mediave italiane janë arritur të sigurohen edhe pamjet e arrestimit të bandës dhe vetë vëllezërve Alibej në 2013-ën.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat