Gara brenda PS për të marrë drejtimin e komisioneve. Cilët janë më favoritët

Shqipëria

Gara brenda PS për të marrë drejtimin e komisioneve. Cilët janë më favoritët

Më: 31 dhjetor 2018 Në ora: 23:40
Ilustrim

Propozimet e bëra nga Rama për t’u emëruar në krye të disa ministrive do të sjellin edhe vakanca në Kuvend.

Kjo, pasi tre nga propozimet e Ramës janë drejtues komisionesh parlamentare dhe, për rrjedhojë, ata nuk mund të mbajnë dy funksione. Konkretisht, bëhet fjalë për Erion Braçen, i cili prej 5 vitesh ka drejtuar Komisionin për Ekonominë dhe Financat në Kuvend. Ai tanimë pritet të marrë detyrën e zëvendëskryeministrit me propozimin më të fundit të bërë nga Rama.

Krahas Braçes, edhe pozicioni i kryetarit të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin pritet të ngelet bosh, pasi kryetari aktual në detyrë, Eduard Shalsi, do të marrë drejtimin e Ministrisë për Sipërmarrjen. Pozicioni tjetër vakant do të krijohet nga largimi i Bledi Çuçit, i cili do të marrë drejtimin e Ministrisë së Bujqësisë.
Aktualisht, Çuçi mban dy pozicione në Kuvend, një si zëvendëskryetar i Komisionit për Integrimin Europian dhe atë të bashkëkryetarit të Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore. Por kush pritet t’i zëvendësojë këto? Për pozicionin e Bledi Çuçit, aktualisht, janë dy deputetë që janë në krye të listës.

Konkretisht, deputeti Bashkim Fino pritet të bëhet bashkëkryetari i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore, si një njohës shumë i mirë i çështjeve zgjedhore. Krahas Finos, edhe Damian Gjiknuri, i larguar nga Ministria e Infrastrukturës dhe Energjetikës, mund të bëhet në këtë pozicion, pasi më parë ka pasur funksionin e sekretarit për çështjet zgjedhore në PS.

Ndërsa zëvendëskryetari i Komisionit të Integrimit pritet të bëhet ish-ministri Ditmir Bushati, i cili e ka mbajtur këtë post gjatë viteve 2009-2013. Në pozicionin e kryetarit të Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin pritet që të emërohet deputetit Besnik Bare, i cili aktualisht mban detyrën e sekretarit të komisionit.
Ai e ka mbajtur edhe më parë këtë detyrë gjatë periudhës që Shalsi u bë ministër për Pushtetin Vendor. Në Komisionin e Ekonomisë emrat më të kuotuar për të marrë drejtimin janë deputeti Ervin Bushati dhe deputetja Blerina Gjylameti.

I pari është anëtar komisioni dhe nënkryetar i Grupit Parlamentar të PS-së, ndërsa deputetja Gjylameti është sekretare e Komisionit për Ekonominë dhe Financat. Për emërimin e tyre duhet që Grupi Parlamentar i PSsë t’ia propozojë seancës plenare emërimin e kryetarëve të rinj. Kësisoj, edhe këto pozicione duhet të presin datën 21 janar për t’u plotësuar.

LARGIMET 
Erion Braçe Ish-kryetar i Komisionit për Ekonominë dhe Financat
Eduard Shalsi Ish-kryetar i Komisionit për Veprimtarinë Prodhuese, Tregtinë dhe Mjedisin

Bledi Çuçi Ish-zëvendëskryetar i Komisionit për Integrimin Europian dhe bashkëkryetar i Komisionit të Posaçëm për Reformën Zgjedhore

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat