Policia Ushtarake rikonstrukton kopshtin e Selishtës në Dibër

Shqipëria

Policia Ushtarake rikonstrukton kopshtin e Selishtës në Dibër

Më: 1 janar 2019 Në ora: 12:35
Policia Ushtarake rikonstrukton kopshtin e Selishtës në Dibër

Fëmijët e njësisë administrative Selishtë në bashkinë e Dibrës do të mësojnë në një ambient më komod, më të ngrohtë dhe të pajisur me mjetet, librat dhe lodrat e duhura.

Efektivët e Policisë Ushtarake rikonstruktuan me kursimet dhe punën e tyre kopshtin e Selishtës, si një dhuratë për vitin e ri për fëmijët e kësaj zone të thellë.

Ministrja Xhaçka pa nga afër punën e bërë për përmirësimin e kushteve të kopshtit dhe vlerësoi punën dhe bujarinë e efektivëve të Policisë Ushtarake. 

“Dua të falenderoj nga zemra efektivët tanë të Policisë Ushtarake për këtë dhuratë shumë domethënëse që u kanë bërë këtyre fëmijëve këtu në kopshtin e Selishtës. Përmes kursimeve të tyre, përmes dhuratave të tyre, kemi mundur që të riparojmë kopshtin dhe t’u krijojmë një ambient shumë më të përshtatshëm për të ndenjur, për të mësuar edhe dua ta theksoj që siç e kemi thënë në fakt edhe në raste të tjera që, ushtarakët tanë e kanë kuletën e vogël por e kanë zemrën shumë të madhe. Dhe është ajo zemra e madhe që na ka sjellë sot këtu për të ndihmuar këta fëmijë dhe për të festuar me ta festën e fundvitit, duke ju uruar atyre dhe familjeve të tyre një vit sa më të mbarë me shëndet, me mbarësi edhe me gjithë ç'ju do zemra këtyre fëmijëve të mrekullueshëm. Kështu që shumë faleminderit efektivëve tanë të Policisë Ushtarake, vërtet kanë bërë një punë të mrekullueshme.”- u shpreh ministrja Xhaçka. Veç rikonstruksionit të kopshtit, i cili zgjati rreth 1 muaj, efektivët e Policisë Ushtarake shpërndanë për fëmijët pako të veçanta me lodra dhe veshje, si dhurata për Vitin e Ri.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat