Ullinjtë e bregut, dëmtohen pemët. Nuk ka treg për vajin

Shqipëria

Ullinjtë e bregut, dëmtohen pemët. Nuk ka treg për vajin

Më: 4 janar 2019 Në ora: 12:18
Pamje nga video

Të paktën 18 mijë rrënjë ulliri, nga më shumë se 100 mijë të tilla, po japin prodhim pa asnjë shërbim në kodrat e Piqerasit dhe Lukovës.

Banorët e Piqerasit thonë se lidhja e njeriut me ullirin në këtë zonë, ndër shekuj ka qenë jetike. Por sot, kjo lidhje është dobësuar prej braktisjes, pamundësisë për t’iu shërbyer pemëve, por edhe vjedhjes së prodhimit.

Evgjenia, që ka kaluar të gjithë jetën mes ullinjve, thotë se pemët që dikur jepnin deri në 150 kg prodhim, sot japin gjysmën e prodhimit. Megjithëse viti ka qenë jo i mbarë për ullirin, vaji është i një cilësie shumë të lartë dhe banorët kanë marrë gati 30 litra për kuintal.

Tregu i ullirit dhe i vajit ngelet gjithsesi i paorganizuar dhe spontan.

Milto Nika, specialist i ullirit thotë se, varieteti i njohur si ulliri “kalinjot” kultivohet vetëm në këtë rajon të vendit, për shkak të klimës së përshtatshme për të. Ky varietet me madhësi mesatare është shumë i njohur për aromën dhe prodhimin e vajit që shkon deri në 32-33 litra për kuintal.

Pas largimit në emigracion të 80% të popullsisë – thotë Nika, – prodhimi ra dhe shumica e ullinjve u kthye në gjendje të egër, ndërsa kodrat u pyllëzuan prej bimësisë së egër.

Shumicën e prodhimit të ullirit të Piqerasit e Lukovës, banorët ua shesin tregtarëve me shumicë nga Shqipëria e mesme e Tirana, me një çmim që shkon deri në 100 lekë për kg. Vaji i ullinjve të Piqerasit, një prej produkteve më cilësore të llojit të vet, nuk e sheh tregun.

Vaji që nxirret në punishtet lokale mbulon vetëm nevojat për konsum vetjak të banorëve dhe shumë pak shitet për klientë që vizitojnë fermat e vogla, në kërkim të vajit origjinal të bregut.s

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat