Ulja e tatimfitimit për bizneset, Rama viziton një prej sipërmarrësve

Shqipëria

Ulja e tatimfitimit për bizneset, Rama viziton një prej sipërmarrësve

Më: 4 janar 2019 Në ora: 13:38
Edi Rama

Paketa e re fiskale ka hyrë në fuqi nga 1 janari, e në bazë të saj, bizneset me xhiro vjetore nga 8 deri në 14 milionë lekë do të përfitojnë ulje të taksës së tatimfitimit, nga 15% në vetëm 5%.

Kryeministri Rama vizitoi një prej sipërmarrësve që përfiton nga kjo ulje e konsiderueshme e taksës. Ai u shpreh i kënaqur dhe tha se kjo lehtësi do t’i shërbejë për të zgjeruar aktivitetin dhe për të rritur fitimin e kompanisë në të ardhmen.

Në këtë vizitë merrte pjesë edhe ministri i Financave dhe Ekonomisë, Arben Ahmetaj, i cili shpjegoi se nga paketa e re përfitojnë një kategori e madhe sipërmarrësish, por edhe mijëra qytetarë, të cilëve nga 1 janari iu ulet tatimi mbi të ardhurat personale.

“Më 1 janar ka filluar një paketë shumë e rëndësishme uljeje taksash, që fillon nga biznesi i vogël me xhiro nën 14 milionë lekë, për të cilin taksa zbritet në 1/3-n. Kemi vazhduar me agrobiznesin, me të gjithë biznesin bujqësor, me qytetarët, klasën e mesme, me uljen e tatimit mbi të ardhurat personale. Mbështetja për bujqësinë vazhdon me zerimin e TVSH-së për inputet bujqësore dhe me normë të reduktuar për një sërë aktivitetesh të TVSH-së. Ky është viti me rritjen më të madhe ekonomike për Shqipërinë”, u shpreh Ahmetaj.

Sipas tij, sot janë 91% e sipërmarrjeve shqiptare që paguajnë 0 ose 5% tatimfitimi, si dhe 98% e të punësuarve që paguajnë 5.5% taksë pune.

Kryeministri Rama deklaroi veç të tjerash se, kjo lehtësi fiskale për biznesin do të përkthehet në më shumë vende të reja pune, si dhe në rritjen e pagave të të punësuarve në sektorin privat.

“Në fakt, kjo është zona më delikate e punësimit. Të gjithë bizneset, nga 8 milion në 14 milion xhiro vjetore, që, deri dje e kishin 15% taksën e fitimit, e kanë 3-fish më të ulët nga sot, por kanë kapacitete punësimi dhe vetëpunësimi shumë të mëdha. Ajo që është më e rëndësishmja, në këndvështrimin tonë, është që, duke ju lehtësuar 3-fish, ju japim mundësi, e para, që të zhvilloheni me investime të reja dhe besoj, menjëherë, ju do mendoni për një investim të ri për tu zgjeruar, për tu konsoliduar dhe e dyta, për të rritur punësimin dhe për të rritur pagat”, deklaroi kryeministri Rama.

Ai shtoi nga ana tjetër se është e nevojshme të ulet numri i atyre që shkojnë në universitet dhe të rritet numri i atyre që shkojnë në arsim profesional dhe në kolegje profesionale dyvjeçare, që të bëhen specialistë, në mënyrë që të mos paguhen të huajt për një punë profesionale.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat