Korça nën pushtetin e të ftohtit nga -13 deri në -21 gradë

Shqipëria

Korça nën pushtetin e të ftohtit nga -13 deri në -21 gradë

Më: 5 janar 2019 Në ora: 14:36
Korça

I ftohti dhe ngricat nuk kanë penguar qarkullimin normal të mjeteve në qarkun e Korçës.

Aksi kombëtar, Kapshticë Qafë Thanë është i kalueshëm pa zinxhirë, siç kalohet në të njëjtën mënyrë edhe në akset Korçë Dogana Goricë si dhe Korçë Voskopojë.

Përdorimi i zinxhirëve është i nevojshëm në një pjesë të akseve Korçë Dardhe e Korçë Ersekë. Një gjë e tillë është bërë me dije nga përgjegjësi i Sektorit Rajonal Rrugor në Korçë, Gentian Pere.

Riku Shkëmbi, drejtues i njërës prej borëpastrueseve në aksin Korçë Dardhë tregon për Vizion Plus se prej 5 ditësh punon pa ndërprerje së bashku edhe me dy drejtues të tjerë borëpastruesesh për të mbajtur të kalueshëm këtë aks prej 15 km, në një lartësi që shkon deri në 1600 m.

Dardha edhe në kushtet kur qarkullimi është i vështirë dhe me zinxhirë mbetet fshati më i kërkuar në këto ditë të ftohta. Turistë që vijnë nga shumë qytete të vendit. Madje ka të tillë që e kanë të vështirë pa thënë të pamundur të vendosin edhe zinxhirët

Temperaturat në juglindje të vendit kanë shkuar deri në -13 gradë, temperatura që kanë ngrirë çdo gjë në qytetin e Korçës. Ka prej atyre familjeve që e kanë të vështirë edhe sigurimin e ngrohjes për shkak të mungesës së të ardhurave.

Temperaturat pritet të ulen edhe më tej në juglindje të vendit duke shkuar deri në -21 gradë të hënën. Në kushte të tilla policia e qarkullimit rrugor ju kërkon drejtuesve të mjeteve të bëjnë kujdes në qarkullim dhe në çdo kohë të jenë të pajisur me zinxhire, ashtu siç ju kërkon të shmangin lëvizjet në orët e natës.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat