Gjobat me postë? Sulçe: Implementimi është i vështirë, kërkon infrastrukturë

Shqipëria

Gjobat me postë? Sulçe: Implementimi është i vështirë, kërkon infrastrukturë

Më: 6 janar 2019 Në ora: 23:09
Implementimi i kësaj nisme do të jetë i vështirë, pasi ka probleme me sistemin e adresave.

Infrastruktura e rrugëve dhe problemet me sistemin e adresave pengojnë realizimin e nismës së Ministrit të Brendshëm Sandër Lleshi për më pak postblloqe policie në rrugë apo dërgimin e gjobave me postë.

Eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe, shprehet se veç kontrollit për alkool, drejtuesit e automjeteve duhet të verifikohen edhe për përdorimin e lëndëve psikotrope. 

Ministri i Brendshëm, Sandër Lleshi, kërkon të luftojë korrupsionin në radhët e Policisë Rrugore me anë teknologjisë. 

Nisma synon më pak postblloqe policie, por vetëm monitorim dhe fokusim në problemet kryesore.

Por ndryshe nga vendet e tjera perëndimore, vendi ynë nuk e ka infrastrukturën e plotë për realizimin e kësaj nisme, pasi jo çdo rrugë është e pajisur me radarë.

Artur Sulçe: Largon mitin e keq nga elementi i policisë rrugore. Implementimi nuk është se do të bëhet menjëherë, do të ketë vështirësi se këtu tek ne dhe gjërat që janë më të thjeshta, në implementim janë shumë të vështira pasi edhe ligjet dhe aktet nënligjore zakonisht janë në kontradiktë me njëra-tjetrën.

Një tjetër kërkesë është që gjobat për drejtuesit e automjeteve duhet të shkojnë me postë në banesë, duke eliminuar kontaktin e drejtpërdrejtë mes policisë rrugore dhe drejtueseve.

Por implementimi i kësaj nisme do të jetë i vështirë, pasi ka probleme me sistemin e adresave.

Artur Sulçe: Kemi një problem, adresat e qytetarëve nuk janë të sakta dhe lëvizjet e tyre nuk lajmërohen në përputhje me normat dhe ligjet që ka shteti shqiptar.

Eksperti i sigurisë rrugore, Artur Sulçe, kërkon që përveç kontrollit të alkoolit për drejtuesit e automjeteve, duhet të ketë edhe kontroll për përdorimin e psikotropeve.

Artur Sulçe: Duke pasur parasysh lëvizjen e këtyre lëndëve psikotrope në vendin tonë, në kufirin tonë, dhe duke pasur parasysh problematikën që ne kaluam, do të ishte domosdoshmëri marrja e pajisjeve për kontrollin.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat