Protesta, shoqërohen në polici 2 studentë

Shqipëria

Protesta, shoqërohen në polici 2 studentë

Më: 7 janar 2019 Në ora: 19:17
Protesta e studentëve

Dy studentë janë ndaluar nga forcat e rendit në Tiranë pas protestës së ditës së sotme.

Studentët Vilson Kulemani dhe Gezim Almeta janë shoqëruar për në rajonin Nr.1 të policisë. Ende nuk dihet se pse janë arrestuar studentët.

Dy të shoqëruarit janë të rinjtë që varën çarçafin e madh tek Universiteti Politeknik. 

Të rinjtë mendohet se kanë bllokuar dyert e universitetit dhe më pas kanë shpalosur banderolën gjigante.

Pas rreth dy orësh nga dalja e lajmit, studentë të tjerë bënë me dije se ata janë shoqëruar në policia në orët e paradites dhe pas informacionit të publikuar në media, janë lënë të lirë.

"Në orën 4 ne ishim të mbledhur bashkë dhe telefonuam 2 shokët tanë që ishin realisht të ndaluar dhe nuk e kuptoj pse policia nuk ka bërë një njoftim zyrtar. Ne erdhëm këtu për të marrë informacion dhe na thonë që ata kanë dalë. Nuk e kuptoj pse nuk na japin informacion", tha një student.

"Kryeministri e filloi javën duke na quajtur vandalë. Priteshin reagime të tilla, i marrin studentët dhe i fusin nëpër biruca, sikur të ishin kriminelë, kur thjesht kërkojnë të drejtën legjitime për tu arsimuar. I bëj thirrje të gjithë uniformës së policisë së shtetit që të jenë krah studentëve dhe shqiptarëve. Sapo u mor vesh që studentët ishin të shoqëruar, sapo ne i lajmëruam mediat, çuditërisht ata u liruan", tha një student tjetër.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat