I ftohti polar mbërthen Greqinë, familja e izoluar shqiptare kërkon ndihmë

Shqipëria

I ftohti polar mbërthen Greqinë, familja e izoluar shqiptare kërkon ndihmë

Më: 8 janar 2019 Në ora: 12:51
Pamje nga video

Greqia është mbuluar nga një valë të ftohti polar dhe reshje të dendura dëbore.

I gjithë vendi është përfshirë nga stuhia polare e pagëzuar me një emër nga mitologjia greke “Telemak”, i biri i Odiseas.

Në kryeqytetin Athinë, dëbora mbuloi edhe sheshin Sindagma, ndërsa në zonat periferike shtresa e dëborës arriti deri në 1 metër, duke krijuar jo pak probleme në lëvizjen e qytetarëve, por edhe duke lënë pa energji elektrike, për orë të tëra disa lagje të kryeqytetit helen.

Prefektura e Athinës njoftoi se ka pezulluar mësimin në të gjitha shkollat e ciklit të ulët dhe të mesëm, si dhe në kopshtet e Atikës.

Një familje shqiptare, në zonën Kapandriti, kërkoi ndihmën e Top Channel, pasi ndodhej e izoluar në më shumë se 1 metër dëborë.

Kryefamiljari Armand Sula, me origjine nga Karbunara e Lushnjës, dërgoi në rubrikën Ti Raporton, pamje të zonës që bënojnë. Ata thane se ndodhen ne izolim total, pa energji elektrike dhe pa asnjë ndihme.

Top Channel komunikoi me mbrojtjen civile, e cila pranoi se ka probleme në zonën Kapandriti dhe se gjate orëve në vazhdim do të mundësohet hapja e rrugës.

Reshjet e dëborës mbuluan pothuaj gjithë Greqinë, madje dëbora mbuloi edhe shumë ishuj të Egjeut, në të cilët nuk binde dëbore prej mëse 20 vitesh.

Në ishullin e Rodosit një emigrant nga Pakistani gjeti vdekjen dhe dy të tjerë u dërguan në spital në gjendje të rëndë, si pasojë e intoksikimit nga mangalli që kishin ndezur për t’u ngrohur.

Mbrojtja civile paralajmëroi se temperaturat e ulëta do të mbizotërojnë edhe për disa ditë akoma, ndaj dhe qytetarët duhet të bëjnë kujdes dhe të shmangin lëvizjet e kota.
Edhe Bashkia e Athines deklaroi se ka vënë në dispozicion ambiente të posaçme me ngrohje, për të gjithë personat që kanë nevojë gjatë këtyre ditëve.

Në zonën e Athines numërohen më shumë se 3000 të pa strehë dhe emigrantë që flenë në qiell të hapur.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat