Temperaturat nën zero mbyllin shkollat në Shqipëri

Shqipëria

Temperaturat nën zero mbyllin shkollat në Shqipëri

Më: 8 janar 2019 Në ora: 15:24
Temperaturat nën zero mbyllin shkollat në Shqipëri

I ftohti i acartë ka sjellë mbylljen e dy shkollave në Bashkinë e Maliqit, ndërkohë që në të gjitha shkollat e tjera mësimi është zhvilluar me orare të reduktuara.

Edhe në shkollat e tjera, pavarësisht se nuk mungon ngrohja, orari u reduktua, pasi temperaturat zbritën nën -10 gradë Celcius, çka solli vështirësi për nxënësit.

Temperaturat shënuan nivele nën zero, por në të gjitha shkollat e Bashkisë së Durrësit, sistemet e ngrohjes nuk ekzistojnë. Mijëra nxënës detyrohen të qëndrojnë të veshur me xhupa, kapuçë e doreza në klasa, duke cënuar zhvillimin e një procesi normal mësimor.

Shumë drejtori shkollash kanë vendosur të shkurtojnë orët e mësimit.

“Ne vetë kemi siguruar parà, që të blejmë nga një rezistencë për ngrohje në çdo klasë, por nuk është e mjaftueshme në këto ditë të ftohta. Jemi veshur trashë, sepse edhe ajo rezistenca që vihet në mes të klasës nuk del për të gjithë”.

Investimet për mirëmbajtjen e godinave mungojnë, drejtuesit e shkollave përpiqen të menaxhojnë kontributin modest të komunitetit të prindërve, për të kryer riparime të vogla dhe për të vendosur të paktën nga një ngrohëse nëpër klasa, për të zbutur sadopak temperaturat e ulëta të dimrit.

Por ka shkolla ku dhe ngrohëset elektrike nuk janë përdorur në këto ditë të ftohta, për shkak të defekteve në rrjetin elektrik.

Shumë fëmijë në fshatrat Hysgjokaj dhe Lekaj nuk shkuan në shkollë e kopshte këtë martë, për shkak të të ftohtit. Ndërsa disa fëmijë që nuk qëndruan në shtëpi, u mblodhën rreth një kaloriferi që nuk arrin as t’i ngrohë.

Në rrethin e Lushnjes janë 53 shkolla dhe 31 kopshte. Nga këto, 6 shkolla janë të pajisura me sisteme ngrohjeje me naftë dhe 5 shkolla janë të pajisura me soba me dru, që furnizohen nga Bashkia, ndërsa pjesa tjetër ka si zgjidhje ngrohëset elektrike.

Zyrtarët pranojnë se në disa shkolla ka probleme të furnizimit me energji elektrike, për shkak se linjat nuk mbajnë ngarkesë.

Në shkollën e fshatit Dukat, në Vlorë, mësimi zgjati më pak këtë të martë, pasi edhe ngrohëset e sjella nga vet nxënësit nuk i përballoi rrjeti elektrik.

Në këto kushte, shumë nxënës zgjedhin të mos shkojnë në shkollë.

Në shkollën 9-vjeçare “Martin Trushi” në Stajkë të Vaut të Dejës, kaldaja është e re, por nuk e përballon sistemi, ndaj nxënësit bojkotuan mësimin.

Në rast të mos sigurimit të ngrohjes, nxënësit dhe prindërit thonë se do të vijojë bojkoti i orëve të mësimit./tch

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat