“Më thoni të kyç derën të paktën!”

Shqipëria

“Më thoni të kyç derën të paktën!”

Më: 9 janar 2019 Në ora: 09:40
Foto ilustrim

Takoj rastësisht një mikun tim, punonjës policie, të vetmin me të cilin më lidh puna në raportin polici-media, por që nuk është shfrytëzuar kurrë si i tillë. Pra thënë thjesht, e kam mik me uniformë.

Ashtu si tip i të papriturave që është, dhe ku e gjen tani nuk e gjen pas 10 sekondave, ndodh të të dalë në mes të rrugës, para makinës, dhe papritur ta kesh pasagjer. Dhe në këto kushte, bëmë një copë rrugë bashkë, derisa të mbërrija në shtëpi, dhe ta lija edhe të në një pikë të caktuar.

-Si je, si ke kaluar, të shtëpisë mirë, puna, je lodhur? – Pyetjet e zakonshme pas një kohe pak si të gjatë pa u takuar.

-Shuuuumë punë lal, lodhje e madhe – thotë.

- Ju mbyti puna juuu, ku gjithë ajo punë? - i them – “na kanë rënë veshët rehat”.

- Ç’a rehati, ngelëm duke ndjekur ngjarje, grabitje, tritol. (E thotë me një lehtësi sikur fliste me dikë që i dinte të gjitha dhe po i qante hallin)

– Çfarë tritoli e grabitje thua?

Qeshi aty (pasi kuptoi terrin informativ) dhe tha vetëm: - Aaa! Nuk i njoftojnë më ngjarjet që ndodhin dmth?!

Dhe nisi të tregonte shumë ngjarje që kishin ndodhur në Tiranë. Sigurisht që nuk  kërkova detaje...është miku im me uniformë, me të cilin qajmë edhe ndonjë hall se ku duhej të ishte policia dhe ku është, se çfarë duhet të bënte policia, dhe çfarë bën, se një raportim i një ngjarje nuk do të thotë se hajduti është policia, por se puna e saj është të zbulojë autorët. Nuk po gjykon njeri pse ndodhin grabitje, pse vënë tritol, pse vrasin në emër të dashurisë e urrejtjes, ndaj nuk besoj të ketë arsye pse t’i fshihet një populli realiteti aktual i rendit.

Aaa poo! Këto ngjarje mund të fshihen vetëm nga frika e dështimeve se ju, pra policia, do të mund të arrijë të bëjë ose jo punën e saj duke i shkuar deri në fund zbardhjes së ngjarjeve (shumë të mbetura të “nxira”).

Nejse, u trishtova shumë kur mësova se një grup grabitësish paskan mundur të bëjnë kërdinë tek “CityPark”, të vjedhin atje një argjendari, të pangopur as nga gjeli i Vitit të Ri, dhe unë si qytetare (jo si gazetare), të mos di se i njëjti grup, me të njëjtën makinë që qarkullon pas çdo grabitje, të ketë qenë duke bërë kërdinë në gjithë Tiranën për shuuumë kohë...dhe të vijojnë ta bëjë.

Besoj se Policia e ka për detyrë ta bëjë një lajmërim të tillë, sepse gjithë këto kohë (të qeta), unë mund të kem fjetur si “qengj” me derën e shtëpisë pa kyçur!

Është po kaq e trishtueshme, se si këto ngjarje, policia mundohet t’i fshehtë (dhe e ka bërë), duke shfrytëzuar sërish veten, Policinë Rrugore. Nuk ka ditë që mos të zgjohesh me njoftime të policisë, se si efektivët rrugorë janë duke punuar për sensibilizimin e përdoruesve të rrugës, nga këmbësorët, tek shoferët, tek ata të papërgjeshmit me alkool, që nuk respektojnë semaforë, e deri tek ata që kundërshtojnë policinë.

Një pjesë model e policisë që punon vetëm në rrugë, dhe që shpesh kritikohet për vendosjen e gjobave, edhe pse shkeljet jemi në që i kryejmë. Por ama nuk e kam parë të frikësuar policin t’më vë gjobën dhe të fshehë fletën nga frika se do sulmohet: Pse gjobisni?! Ai po bën thjesht detyrën.

Nuk është faji i tij që shkruan fletën e gjobës me të cilën mban familjen e tij, është faji jonë që mendojmë se të hapësh krahun në anë të rrugës dhe të jesh bërë pengesë për kalimin, nuk është problem fare nëse ne thjesht ndezim “bllokazhin” që me kokën tonë do të thotë: Tani mund të rrimë sa të duam!!!.

Pra, thënë thjesht, nuk është faji i Policisë pse u grabit një argjendari, pasi në atë godinë supozohet të jetë garantuar siguria, me policë privatë, kamera sigurie etj. Pra nuk është në dorën tuaj, sepse grabitës të pangopur do të ketë gjithmonë.

Puna juaj, për të cilën ashtu siç polici rrugor, edhe ju nuk duhet të keni frikë dhe turp ta bëni, është të zbardhni ngjarjet dhe të kapni autorët aty ku nuk ka hapësira për parandalime.

Nëse nuk e bëni dot as këtë... po pres grabitësin t’më thotë ai se dera duhet kyçur sepse puna për të nuk ka rënë!

PS: Kyçja e derës është në mënyrë figurative ;)

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat