PD: Rama ka gënjyer për pasurinë, nuk justifikon 300 milionë lekë

Shqipëria

PD: Rama ka gënjyer për pasurinë, nuk justifikon 300 milionë lekë

Më: 9 janar 2019 Në ora: 12:29
Rama nuk mund ta justifikojë pasurinë as me kursimet e gruas.

Partia Demokratike ka vijuar edhe këtë të mërkurë akuzat se kryeministri Edi Rama nuk i justifikon dot ligjërisht të paktën 300 milionë lekë, nga shuma prej afro 400 milionë të përdorura për ndërtimin e shtëpisë në Surrel.

“Edi Rama i ka gënjyer shqiptarët për pasurinë e tij që ditën e pare, kur u ul në karrigen e kryeministrit të vendit. Kreu i qeverisë së Shqipërisë nuk justifikon të paktën 300 milionë lekë, me të cilat thotë se ka ndërtuar shtëpinë. Kjo është një vepër që të çon në burg”, u shpreh deputetja e PD, Orjola Pampuri.

Sipas deputetes demokrate, Rama nuk mund ta justifikojë pasurinë as me kursimet e gruas.

“Faktet janë e zeza mbi të bardhë në deklaratën e tij të pasurisë. Çifti kryeministror nuk ka deklaruar aq të ardhura, sa të justifikojnë ndërtimin e një shtëpie superluksoze me vlerë 400 milionë lekë. Partia Demokratike po publikon sot dokumentet zyrtare që provojnë se të ardhurat e deklaruara të Edi Ramës dhe të të ardhurat e gruas së tij nuk kalojnë vlerën e 100 milionë lekëve dhe nuk justifikojnë dot vlerën 400 milionë lekë të shtëpisë në Surrel”, deklaron Pampuri.

Ajo shton se “Në vitin 2011, përpara nisjes së ndërtimit të shtëpisë, Edi dhe Linda Rama kanë deklaruar se, të dy bashke, zotërojnë rreth 80 milionë lekë. Në vitin 2012, Edi Rama ndërton shtëpinë e tij në Surrel dhe, kur mori detyrën e kryeminiyrit një vit më vonë, deklaron se ka shpenzuar plot 400 milion lekë për ndërtimin e saj, pra plot 5 herë më shumë sesa kursimet që kishte gjendje çifti Rama. Sipas deklaratës së pasurisë që vetë kanë dorëzuar në 2013-ën, rezulton se, pasi kanë deklaruar shtëpinë 400 milionë lekë, pra, pasi kanë shpenzuar kursimet e jetës, 80 milionë lekë, Edi dhe Linda Rama jo vetëm nuk kanë deklaruar borxh, por pasuria e tyre është shtuar, duke deklaruar se kanë gjendje plot 92 milion lekë”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat